Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se operacioni ushtarak i ndërmarrë nga SHBA ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka “shkatërruar ambiciet bërthamore të këtij vendi.
Ky operacion u quajt “Çekani i Mesnatës” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ishte një urdhër i qartë, i fuqishëm dhe i saktë nga komandanti ynë i përgjithshëm,” tha Hegseth në një konferencë për shtyp nga Pentagoni. “Ne e shkatërruam programin bërthamor të Iranit, por është e rëndësishme të theksohet se operacioni nuk kishte si objektiv trupat iraniane apo popullin iranian”, u shpreh ai, raportojnë mediat e huaja.
Ai shtoi se presidenti Donald Trump “e ka bërë realitet atë që shumë presidentë vetëm e kanë ëndërruar, goditjen vendimtare ndaj programit bërthamor të Iranit”.
Ai e përshkroi operacionin si “të guximshëm dhe brilant”, duke shtuar: “Kur flet presidenti Trump, bota duhet të dëgjojë. Asnjë vend tjetër përveç Shteteve të Bashkuara nuk do të kishte qenë në gjendje të kryente këtë ndërhyrje.”
“Faleminderit udhëheqjes vizionare të Presidentit Trump dhe përkushtimit të tij për paqen përmes forcës – ambiciet bërthamore të Iranit janë zhdukur,” përfundoi Hegseth.
Operacioni i forcave amerikane ka ndezur reagime të ashpra në Iran dhe në mbarë rajonin, duke e futur Lindjen e Mesme në një situatë të tensionuar dhe të pasigurt për zhvillimet që mund të pasojnë.

