Kur do të hyjë në fuqi fasha 800KW dhe pse u tërhoq Rama nga vendimi i ERE-s

schedule07:44 - 1 Tetor, 2022

schedule 07:44 - 1 Tetor, 2022

Teksa ERE kishte marrë vendimin që më datën 1 tetor të ndryshonte fasha e energjisë, ditën e djeshme kryeministri Edi Rama bëri me dije se vendimi nuk do të hyjë në fuqi sot.

Shkak, sipas kryeministrit u bë sasi e reshjeve të rëna në ditët e fundit dhe përmirësimi i nivelit të Fierzës.

Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 Kwh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta.

Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit. 

Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kë të mos hyjë në fuqi në muajin tetor, tha dje Rama.

Fasha synonte që 4% e abonentëve, të cilët e tejkalonin  këtë kufi dhe konsumonin  afro 20% të të gjithë sasisë së energjisë, të paguanin  me çmimin real çdo kë mbi kufirin e 800 KwH.

Por kur do të aplikohet fasha e re e energjisë?

Ditën e djeshme kryeministri nuk la të kuptohet se kur do të hyjë në fuqi fasha e re apo nëse do të aplikohet për muajt në vazhdim. Por ai bëri sërish thirrje për kursim energjisë pasi Shqipëria ende e ka të nevojshme të dalë në tregun ndërkombëtar për të siguruar 25% të energjisë.

Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji. Hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar. E ndërkohë që të gjithë duhet të jenë sa më të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë, askush nuk duhet ta verë në dyshim se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë më të mirën,” tha Rama. /Abcnews.al/