Kompozitori i njohur David Tukiçi ishte i ftuar në emisionin “Pas Mesanate” në ABC News. Mes emocionesh e nostalgjisë ai nuk nguroi që të fliste për vendin e tij të lindjes, Shkodrën, vendin e muzikës, kulturës e historisë.
“I lindur në Shkodër, ky është çmimi më i madh që kam marrë”, u shpreh kompozitori. Ai ka korrur një sërë çmimesh dhe titujsh, por origjina e tij e lindjes për David Tukiçin është trofeu i jetës.
“Jeta ime nuk mund të mendohet pa muzikë, sepse unë jam i vetmi nga të 3 fëmijët, i lindur në Shkodër dhe ky është çmimi më i madh që kam marrë në jetë, që kam lindur në Shkodër. Unë e vlerësoj shumë Shkodrën, ka njerëz shumë të talentuar. Në Shkodër kanë lindur poetë, kompozitorë të mëdhenj. Të gjitha i ka Shkodra.”
Të gjithë kemi dëgjuar për legjendën dhe kalanë e Rozafës dhe David Tukiçit nuk kishte se si t’i mungonte dëshira e madhe që këtë histori ta kompozonte. Në “Pas Mesanatë” ai tregon se si lindi dëshira dhe realizmi që “Rozafën” ta vendoste përballë kamerave të operave dhe mijëra spektatorëve. Kompozuar nga ai dhe shkruar nga i ndjeri Fadil Kraja.
“Doja me patjetër diçka që ta përjetoja Rozafën dhe dëgjova diçka që Fadil Kraja kishte bërë një dramë në Shkodër më titullin e Rozafës. Unë nuk e kisha njohur ndonjëherë, i gjeta numrin dhe e mora në telefon. Unë i kërkova që të bënte një libër dhe ai me dashamirësinë më të madhe më tha ‘po mo ta marrsha’. Shkoi u mbyll në Shirokë dhe nisi ta shkruante. Për mua Rozafa është një dashuri, është një dashuri shumë e madhe sepse ajo sakrifikon çdo gjë që ka njeriu, jetën për të mbajtur besën i shoqi. Fadil Kraja si mjeshtër që është i ndenji besnik kësaj legjende, sepse kalaja është ndërtuar 500 vjet përpara Krishtit.”/abcnews.al