Kupa rikthen duelin Flamurtari-Partizani

schedule14:00 - 30 Janar, 2018

schedule 14:00 - 30 Janar, 2018

Pas polemikave të ashpra në kampionat, dueli Flamurtari-Partizani rikthehet në Kupën e Shqipërisë. Të dyja palët kanë si objektiv vetëm kualifikimin për në gjysmëfinale.

 

Kupa e Shqipërisë rikthen sfidën me nerva e polemika të fundjavës së kaluar në Superligë, mes Flamurtarit e Partizanit.

Luhet sërish në Vlorë, një duel i çerekfinaleve, me dy përballje përpara sesa të përcaktohet gjysmëfinalisti i këtij sezoni.

Në kampionat, vlonjatët fituan falë golit të sekondave të fundit nga Tomisllav Bushiç, ndërsa në Kupë pritet të jetë ndryshe.

Trajneri vendas, Shpëtim Duro, flet për ambiciet e tij në Kupë, ndërsa drejton seancën e fundit stërvitore.

Kupa është objektiv për të gjitha skuadrat. Kemi luksin që jemi mirë edhe në kampionat. Do bëjmë maksimumin. Përballje e ekuilibruar. Ndryshe nga kampionati. Kualifikimi nuk do të përfundojë në Vlorë

Si pritet të jetë formacioni, dhe me çfarë rezultati do të ishte I kënaqur Duro nga ndeshja e Vlorës?

Nuk duam të pësojmë gol në ndeshjen e parë. Nedejkovic dhe Zuka janë gati, Muarem jo. Të shohim për formacionin

Partizani ndërkaq është në pozicion shumë të vështirë, dhe jo vetëm për humbjen në Vlorë.

Trajneri Starova pati një tjetër përplasje brenda ekipit, këtë herë me sulmuesin Fili, ndërsa në Antalia u konfliktua me mesfushorin Trashi.

Acarime të tilla tregojnë se gjendja nuk është aspak e qetë, pavarësisht se klubi ka deklaruar se trajneri nuk preket.

Kupa është objektivi i vetëm i mundshëm i Partizanit për të shpëtuar sezonin, ndaj edhe pritet që kryeqytetasit të luajnë edhe më fort sesa në kampionat./abcnews.al