Kupa njeh finalistët/ Egnatia dhe Dinamo City do të diskutojnë trofeun

schedule12:34 - 24 Prill, 2025

schedule 12:34 - 24 Prill, 2025

Pa frikë mund të thuhet se suksesin e arritën dy skuadrat më të mira.

Egnatia dhe Dinamo janë ata që më shumë kanë bindur këtë sezon, sidomos në Superligë, por ja që e bënë edhe në Kupën e Shqipërisë.

Kampionia e vendit, ekipi nga qyteza e vogël e Rrogozhinës, vazhdon të jetojë ëndrrën dhe madje me anë të një triumfi të vërtetë.

Në “Arenën e Demave” në kryeqytet, të besuarit e trajnerit Edlir Tetova fituan 2-0 me Partizanin duke përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë.

Të kuqtë kishin fituar 1-0 jashtë fushe, edhe pse me fat.

Këtë herë, Egnatia kishta marrë masat dhe e dominoi ndeshjen duke ia dalë me meritë.

Gjithsesi, golat u shënuan vonë, në minutën e 76-të nga mbrojtësi Xhemajli, dhe në kohën e parë shtesë, në minutën e 94-ët nga Guindo.

Blutë e kryeqytetit ndërkaq u duk se do të arrinin një kualifikim të lehtë në “Elbasan Arenë” ndaj Vllaznisë, ndonëse nuk ndodhi kështu.

Futbollistët e trajnerit Ilir Daja arritën avantazhin 4-0 me dy gola nga Itodo dhe dy nga kosovari Zabërgja.

U mendua se gjithçka kishte përfunduar, pasi në Shkodër ndeshja e parë doli 0-0.

Gjithsesi, tek Vllaznia besuan dhe shënuan tri herë radhazi.

Gruda, kapiteni Balaj dhe Kahrimanoviç ishin autorët me sfidën që u rihap në minutën e 85-të.

Në fund, shkodranët protestuan ashpër duke kërkuar që arbitri të kishte dhënë më shumë minuta shtesë.

Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet në 1 maj në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!