Kupa e Shqipërisë/ Përcaktohen sfidat e 1/8-ve, Laçi përplaset me Dinamon, Teuta sfidon Skënderbeun

schedule17:56 - 6 Dhjetor, 2023

schedule 17:56 - 6 Dhjetor, 2023

Këtë të mërkurë u përcaktuan 8 skuadrat që kalojnë në raundin e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë, aty ku nisin aventurën dhe tetë skuadra nga Kategoria Superiore. Në përballjet e mesjavës ra në sy dueli mes Bylisit dhe Vorës. Skuadra ballshiote u ndëshkua në fillimin e pjesës së dytë. Ndërhyrja e Goxhës ndaj Tabakut brenda zone i dha mundësinë e një 11-metërshi Vorës, që u kthye në gol nga Qardaku, i cili nuk festoi në shenjë respekti ndaj ish-skuadrës së tij.

Megjithatë, skuadra ballshiote arriti që të përmbysë shifrat në harkun kohor të 4 minutave, teksa fillimisht Ruçi e më pas Jeferson i dhanë epërsinë Bylisit.  Në vijim Vora u mobilizua dhe ishte më kërkuese, teksa në të 77′-ën iu anulua një gol për pozicion të parregullt, por në limitet e kohës së rregullt, Vrapi arriti që të barazonte rezultatin e ta çonte sfidën në shtesë.

Fati i kësaj përballje u përcaktua nga 11-metërshat, pasi as 2 shtesat nga 15 minuta nuk sollën ndryshim rezultati. Portieri i Bylisit, Puja ishte fantastik, duke pritur 3 penallti, ndërsa shokët e skuadrës shënuan 3 herë në portën e Vorës nga pika e bardhë, duke mbyllur gjithçka në shifrat 3-2, e duke kaluar më tej.

Në ndeshjet e tjera Korabi gjithashtu u kualifikua pas goditjes së 11-metërshave  përballë Besës në transfertë, teksa 120 minutat u mbyllën në barazim 2-2. Dibranët shënuan saktë 5 penallti, ndërkohë që futbollistët kavajas realizuan vetëm 4. Në ndeshjet e tjera, morën fitoren e biletën e kualifikimit, Apolonia, e cila mundi 2-1 Luzin, Flamurtari që mundi 2-0 Burrelin, AF Elbasani që mundi 2-3 Kastriotin, Lushnja që mundi 0-3 Tomorin, si dhe dy skuadrat e Superiores, Dinamo City që kaloi në raundin tjetër pas suksesit 2-0 përballë Orikut dhe Skënderbeu që shpartalloi 4-0 Turbinën.

Në raundin e 1/8 bien në sy dy përballjet mes ekipeve të Superiores, Teuta-Skënderbeu dhe Laçi-Dinamo City, ndërkohë që Tirana do të përballet me Korabin, Partizani me Apoloninë, Egnatia me Lushnjën, Vllaznia me Flamurtarin, Erzeni me Bylisin dhe Kukësi me AF Elbasanin. Edhe raundi i radhës do të luhet me metëm një takim, me sfidat që do të zhvillohen në fillimin e vitit 2024. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!