Specialisti i futbollit Ermal Tahiri vlerëson se Maroku ka cilësi të mjaftueshme për t’i hapur probleme Francës, falë lojtarëve të talentuar që ka në përbërje.
Duke analizuar përballjen me Francën, Tahiri theksoi se marokenët kanë potencialin për ta vënë në vështirësi kampionen e botës, por shpejtësia e lojës së francezëve mbetet një nga armët e tyre kryesore.
“Edhe Maroku ka yje, talente. Talenti i Marokut, Suabi, është superlojtar. I njëjti problem që shoh është se mos nis Maroku si ekipet e Afrikës. Maroku do ta vërë në vështirësi Francën, por shpejtësia e Francës vlerësohet.”
Trajneri Gentian Muça vlerëson se Maroku ka treguar futboll cilësor gjatë rrugëtimit të tij dhe se është një skuadër që mund ta vendosë Francën në vështirësi, pavarësisht forcës së kampionëve të botës.
Sipas Muçës, marokenët luajnë një futboll të hapur, çka i ekspozon ndaj sulmeve të Francës, por njëkohësisht janë shumë të rrezikshëm edhe në fazën ofensive.
“Maroku ka bërë një futboll të hapur, është i ekspozuar ndaj sulmit të Francës, ama edhe del në sulm e ka shumë të shpejtë. Kanë qenë shumë të saktë dhe rezultati 3 me 0 tregon një maturi. Nuk është ndeshje e lehtë kur je nën trysni dhe presion. Në momentin që shënon, fillon ta menaxhosh dhe ta mbyllësh ndeshjen. Nga Maroku presim një superndeshje me Francën.”



