Safet Gjici, kryebashkiaku i Kukësit, ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka folur për shumë çështje. Në fund është ngacmuar edhe për klubin e futbollit verilindor dhe ai është hedhur në sulm ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të qytetit.
“Kryetari i Partisë Demokratike a ka para të blejë ndonjë lojtar për Kukësin?! Apo thotë ai, ‘oligarkët, oligarkët’. Se me thënë kështu fjalë të mëdha, ‘oligarkët,oligarkët’, thonë të gjithë. Për të bërë vepra të mëdha i bëjnë pak burra. Kukësi ka dhjetë vite që është në elitë.
Duhet ta dijë edhe ai zotëria. Kukësi nuk është i kryetarit të Bashkisë (bën me shenjë nga vetja), Kukësi është i Bashkisë së Kukësit, është i kuksianëve, është i të gjithëve. Dhe vlerat e Kukësit dhe kuksianëve janë rritur shumë me këtë ekip futbolli. Daç ta pranojë zotëria, daç jo”, tha Gjici.
Më tej ai vijoi të fliste dhe ndër të tjera u shpreh se tanimë është në pozicionit e presidentit të nderit te Kukësi. “Vlerat janë rritur jashtë mase dhe natyrisht që ekipi i Kukësit është solid këtë vit, është një ekip i mirë. Ju e keni parë. Na ka rënduar shumë puna e fushës dhe uroj ta mbarojmë shpejt e të kthehemi këtu. Po të kishim luajtur në fushën tonë, atëherë do të ishim 10 pikë para të tjerëve.
Vështirësitë janë, Bashkia nuk është e fuqishme ta ndihmojë sa duhet klubin. Merkaton e bëjnë ata të sportit, unë jam kryetar bashkie tani, unë jam president nderi i Kukësit. Me sa eksperiencë kam në futbolli, nuk shoh që ka nevojë për ndërhyrje.
Duhet një menaxhim i mirë, kryesisht nga stafi teknik dhe lojtarët. Duhet të merret maksimumi i tyre në fushën e lojës. Nëse do të ketë ndonjë lëvizje, ata i bëjnë. Besoj se nuk kanë nevojë. Po u bë ndonjë ndërhyrje mund të prishet klima”, ka përfunduar Gjici deklaratën e tij. /abcnews.al