“Kundërshtarët i mundëm edhe kur ishin të bashkuar,” Klosi: Patronazhistët në terren për zgjedhjet lokale

schedule19:43 - 21 Qershor, 2022

schedule 19:43 - 21 Qershor, 2022

Partia Socialiste është duke zhvilluar zgjedhjet për kryetarët e rinj të  degëve dhe Sekretari Organizativ i të majtëve Blendi Klosi sjell në vëmendje se gjithçka po bëhet në salla të hapura. Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC nga Durrësi, Klosi theksoi se do të ketë një rifreskim të konsiderueshëm të emrave, të kryetarëve të PS në  61 bashki.

Ndërsa, duke u ndalur te zgjedhjet vendore vitin që vjen, Sekretari Organizativ i PS-së, tha se nga shtatori do të nisin përgatitjet duke theksuar edhe rolin e rëndësishëm që kanë patronazhistët.

“Nuk diskutohet që s’e kemi bërë procesin të pamenduar. PS synon t’i marrë të gjitha bashkitë. Nuk gjej asnjë bashki ku nuk do të garojmë dhe të mos harrojmë që janë vetëm 300 ditë nga dita e zgjedhjes. Ata kanë debate për vulën, ne kemi për kryetarët e partive, është shumë më tepër se primaret, e kemi debat publik, e transmetojmë në mediat sociale…Pjesë e agjendës politike të PS. Do të shkojmë në shtator me përgatitjen e koordinatorëve dhe patronazhistët.”

I pyetur se përse PS vijon t’u japë kaq peshë patronazhistëve pavarësisht se reagimet s’kanë qenë pozitive, Klosi tha se nuk ka parti që pretendon të dalë fituese që nuk organizohet në detaje. Megjithatë, ai shpjegoi se nuk bëhet fjalë për njerëz që spiunojnë apo përgjojnë, por për struktura që përpiqen të jenë sa më pranë njerëzve.

“Nuk ka parti në botë që do të fitojë, që e bën fushatën vetëm në TV. Që të fitosh duhet të organizohesh. Të punosh, d.m.th të takosh njerëzit. Janë njerëz që në terren menaxhojnë të gjithë skuadrën, kontrollojnë skuadrën. Nuk e di ku e është negativiteti në këtë mes. Kush do punojë në terren? Këta njerëz që sjellin njerëzit në votime. Janë struktura të PS që, përpiqen të jenë pranë njerëzve… Asnjeri s’ju spiunon, përgjon.  Asgjë sekrete nuk ka që një strukturë në lagje të bëjë llogari se sa vota mund të sigurojë.”

PS në këto zgjedhje lokale si duket nuk konsideron si kundërshtare opozitën, por vetëm “hallet dhe problemet e njerëzve.”

“Ne kemi përballë hallet e njerëzve. Nuk kemi asnjë cedim në strukturat tona të brendshme. Kundërshtarët tanë, i mundëm edhe kur ishin të gjithë bashkë, e jo më të ndarë.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!