Kulla e kujtesës/ Thumanë, u ndërtua për të kujtuar viktimat e tërmetit të vitit 2019

schedule20:07 - 17 Shkurt, 2024

schedule 20:07 - 17 Shkurt, 2024

E kanë quajtur kulla e kujtesës. Ndodhet në zemër të Thunamës së re, të rindërtuar, por imazhet vendosur brenda saj risjellin në kujtesë qytezën e vjetër, qytezën e mëngjesit të 26 nëntorit të vitit 2019, ku njerëzit u zgjuan të lebetitur nga tronditjet e tokës.

Tërmeti u mori jetën 24 personave dhe shkaterroi thuajse gjithë qytezën.

Sali Jangozi, banor i Thumanës tregon përjetimet e orëve të para të tragjedisë.

“Kur ra tërmeti atë ditë, dha shumë goditje. Erdhëm, pamë gërmadhat, pallatet ishin shembur, shumë familje kishin humbur të afërmit”.

Por me kontributin e qeverisë, organizatave të ndryshme dhe ndihmës së shteteve të tjera, qyteti ja doli që të rinisë jetën e të rindërtohet në gërmadhat që shkaktoi fatkeqësia natyrore.

“Thumana është bërë një qytet, me shtëpi, më të mira nuk ka. Populli është shumë i kënaqur”.

Sali Jangozi dhe bashkëshortja e tij Resmia, sot jetojnë në një shtëpi të re falë bujarisë së një sipërmarrësi nga Kosova.

“Sot jetoj me gruan, jemi të dy pensionistë. Nuk i ndahem punës, puna të mban gjallë”.

Nga tragjedia që disave u mori të dashurit e të tjerëve u shkaterroi shtepitë, kanë kaluar mbi 4 vite. Edhe pse në qytet nuk gjenden gjurmë fizike të termetit të fortë, banorët nuk harrojnë.

Sali Jangozi thotë se ngjitet shpesh në këtë kullë bashkë edhe me të afërm për të kujtuar se çfarë kanë përjetuar. Tërmeti i vitit 2019 që shkatërroi Thumanën, shkaktoi viktima edhe në qytete të tjera të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!