Kukësi, protestë për sjelljen e tifozëve të Partizanit

schedule22:00 - 30 Mars, 2019

schedule 22:00 - 30 Mars, 2019

Kukësi proteston për sjelljen e tifozëve të Partizanit dhe të golashënuesit Jasir Asani, në ndeshjen e së shtunës në Shkodër. Klubi verior kërkon ndëshkim nga Komisioni i Disiplinës

Barazimi u përjetua si humbje, por nuk mjaftoi vetëm rezultati. Drejtuesit e Kukësit gjykuan se sjellja e tifozëve të Partizanit në “Loro Boriçi” ishte e papranueshme, ashtu si edhe festimi i golit nga Jasir Asani.

Tifozët patën si shënjestër presidentin kuksian, Safet Gjici, duke e ngacmuar për batutat që ai ka lëshuar gjatë këtij viti.

Të njëjtën gjë bëri edhe Asani, i bëri me shenjë nga tribuna VIP e stadiumit të Shkodrës, që ta mbyllnin gojën, me referim të qartë për Gjicin.

Kukësi doli me deklaratë zyrtare për shtyp, ku dënoi këto sjellje, dhe kërkoi nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit që të merrte masa për t’i dënuar.

“Tifozët e Partizanit, – shkruhet në deklaratë, – lëshuan kore ofenduese ndaj presidentit, si dhe hodhën kartëmonedha me fytyrën e numrit 1 të klubit tonë, duke cënuar imazhin e tij. Lojtari që shënoi golin, u soll në mënyrë të pakulturuar”.

Nuk dihet nëse Disiplina do të marrë masa për këto veprime, por ndoshta mund të ketë edhe ndëshkim me gjobë.

Partizani, ndërkaq, festoi në Shkodër, i bindur se barazimi 1-1 ishte një hap i madh drejt titullit kampion.

Fillimisht, lojtarët u drejtuan tek rreth 400 tifozët e tyre, që ishin në epërsi dërrmuese ndaj atyre të Kukësit, edhe pse luhej në fushë kundërshtare.

Më pas, ata brohoritën në dhomën e zhveshjes, duke postuar fotot në rrjetet sociale. Në kthim nga Tirana, tifozët i bënë një të papritur skuadrës, duke hyrë në restorantin ku ajo po darkonte, e duke nisur sërish festën.

Edhe kjo video u hodh në rrjetet sociale. Kukësi-Partizani doli barazim me golat e shënuara nga Rezhinaldo në minutën e 55-të për kuksianë, dhe Jasir Asani në të 68-ën me penallti për kryeqytetasit. Partizani kryeson renditjen e Superligës me 54 pikë ndaj 45 të Kukësit, kur mbeten edhe 10 javë deri në përfundim./abcnews.al