Kukësi pranë kreut të Superligës pas fitores ndaj Teutës

schedule19:57 - 17 Shtator, 2018

schedule 19:57 - 17 Shtator, 2018

Kukësi është rikthyer në vendet e para të Superligës, dhe pritet të konkurrojë për trofe. Mbrojtësi Ardian Cuculi ka besim, por skuadra kuksiane ka ende probleme që mund ta pengojnë.

Kupat e Europës tashmë janë lënë pas. Kukësi fitoi përvojë, disa qindra mijë euro, por edhe shumë lodhje, ndërsa në Superligë duket se po e merr veten pas një nisjeje jo të mirë.

Fitorja në Durrës e ngjiti në kuotën e 7 pikëve, pra ngjitur me kreun, dhe njëri nga lojtarët më të mirë të ekipit, mbrojtësi Cuculi, ka besim për të ardhmen.

Gjithsesi, nuk duket se do të jetë edhe aq e lehtë.

Burime në klub bëjnë me dije se skuadra nuk është siç duhet e ekuilibruar, duke pasur shumë lojtarë në të njëjtin rol, dhe pozicione të tjera të pambuluara.

Nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e Donjet Shkodrës, i cili mesa duket u mbajt në ekip thjesht për mungesë të mesfushorëve.

Sidoqoftë, me kalimin e javëve dhe me punën e trajnerit Cungu, duket se ekipi po përmirësohet, ndonëse Cuculi mendon se ka qenë I tillë që prej nisjes së Superligës.

Kukësi do të varet shumë nga forma dhe nga sjellja e sulmuesit kryesor, Rezhinaldo, shënuesi më i mirë i kampionatit deri tani.

Pavarësisht talentit të pamohueshëm, 28-vjeçari nga Mozambiku, cilësohet problematik në sjellje, gjë që mund të ndikojë në raportin me trajnerin, klubin dhe shokët e skuadrës, pra edhe në formën e lojtarit.

Vitin e kaluar, Rezhinaldo pati një përplasje me presidentin e Laçit, Laska, ndërsa burime te Kukësi bëjnë me dijë se ai ka shkaktuar pakënaqësi edhe në klubin e tij të ri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!