Kukësi fiton në Laç

schedule19:04 - 10 Prill, 2019

schedule 19:04 - 10 Prill, 2019

Kukësi mbajti gjallë shpresat për titull kampion me një sukses të rëndësishëm në fushën e Laçit. Një gol i madh i Limajt vendosi sfidën vetëm 3 minuta para fundit.

Fitorja në këtë stadium është një nga gjërat më të vështira në Superligë, sot për sot. Aq më shumë për Kukësin, që vazhdimisht ka dështuar në përballjet në fushën e kurbinasve, veçse këtë herë ndodhi ndryshe.

Ernest Gjoka debutoi me fitore, arritur vetëm tre minuta para fundit, duke e mbajtur ende me shpresë skuadrën verilindore për titullin kampion në Shqipëri. U desh gjithsesi një gol nga ata që quhen evropianë, shënuar nga ana e Limajt, për të thyer rezistencën e Laçit dhe të portierit Selmani.

Aksioni i kuksianëve ishte një model, diçka që është edhe meritë e Gjokës, por edhe e njerëzve që kanë punuar përpara tij me ekipin, sidomos e ish-trajnerit Armando Cungu. Të dyja skuadrat patën pretendime ndaj arbitrit, por u duk se fati i duelit nuk u vendos nga asgjë tjetër përveçse nga ajo që u dha në fushë.

Kukësi e meritoi pasi luajti më mirë, sidomos në pjesën e dytë, duke krijuar epërsi e duke pasur më shumë mundësi sesa vendasit. Nëse Gjoka e nisi me fitore, kjo ishte humbja e parë e Sulejman Starovës si trajner i Laçit, pas disa rezultatesh pozitive, kulmuar me fitoren 5-0 ndaj Teutës pak ditë më parë.

Me këtë fitore, Kukësi ka 49 pikë, në vendin e dytë në renditjen e Superligës, ndërsa Laçi ka 40 pikë./abcnews.al