Kukësi firmos me mesfushorin e Kosovës, Gegës i vjen lojtari i preferuar

schedule21:07 - 2 Tetor, 2020

schedule 21:07 - 2 Tetor, 2020

Pak orë pas prezantimit të Agim Ibraimit, 32-vjeçarit nga Tetova që vjen të përforcojë repartin ofensiv, Kukësi ka zyrtarizuar një tjetër afrim cilësor ditën e sotme.

Nënkampionët e Shqipërisë kanë firmosur një kontratë 2-vjeçare me Gjelbrim Taipin, 27-vjeçarin nga Bujanovci që aktivizohet në qendër të mesfushës. Emri i tij nisi të lakohej që pasditen e djeshme dhe është një njohje e vjetër e trajnerit Skënder Gega.

Taipi ka luajtur me parë me Shkëndijën dhe me Gegën ka qenë pjesë e Shqipërisë U21, ndërsa më pas zgjodhi të luajë me Kosovën. “Gjelbrim Taipi është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Futboll Klub Kukësi ka kënaqësinë që të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Gjelbrim Taipi!

Mesfushori nga Kosova ka firmosur sot kontratën dy vjeçare me skuadrën tonë duke u bërë zyrtarisht futbollisti ynë! Taipi vjen si një vlerë e shtuar për mesfushën tonë. Me karrierën e tij të pasur në Superligën e Zvicrës, Taipi do të jetë një armë shtesë në rrugën drejt titullit kampion.

Ai ka luajtur për shumë vite në kampionatin zviceran, duke qenë pjesë e elitës, teksa ka mbajtur veshur edhe fanellën e Shqipërisë U21 dhe Përfaqësueses së Kosovës! Mesfushori 27-vjeçar ka vendosur të veshë fanellën me numrin 7!

Ai do të bashkohet ditët në vijim në stërvitje me ekipin dhe do të nisë përgatitjet. Mirë se vjen Gjelbrim! Të priftë e mbara!“, lexohet në postimin e klubit verilindor. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!