Kuka: Argjentina e donte më shumë fitoren, është një finale që do të mbahet mend gjatë

schedule13:46 - 19 Dhjetor, 2022

schedule 13:46 - 19 Dhjetor, 2022

Ditën e djeshme, Argjentina fitoi finalen e madhe të Kupës së Botës ndaj Francës dhe kjo ishte një ndeshje për t’u mbajtur mend gjatë pasi ishin 120 minuta plus goditjet e penallitve, ku mbajtën në ankth dhe me emocione të gjithë tifozët në mbarë botën.

I ftuar në “ABC Live”, gazetari Bledi Kuka ka folur rreth impaktit që pati kjo finale, por edhe për momentin final ku Messi veshi mantelin arab.

“Futbolli është bërë diçka fenomenale i cili festohet në të gjithë botën. Kjo ishte një finale e jashtëzakonshme e cila solli diskutime dhe emocione gjithashtu.

Trajneri i Francës u dëshpërua shumë. Bëri dy zëvendësime të shpejta ku edhe Giroud përplasi shishen nga nervozizmi, ai ishte edhe i semure me grip para sfidës, ndoshta ka ardhur ky zëvendësim.

Teoritë konspirative në lidhje me gripin që preku skuadrën e Francës pak ditë para finales? Unë mendoj se është thjesht një rastësi. Franca është një skuadër shumë e fortë, por nuk mund të themi se Argjentina u favorizua sepse ka mënyra të tjera për ta bërë, duke dhënë apo duke hequr penallti. Ktë herë nuk mund ta themi sepse dhe Franca mori dy penallti.

Unë dua të prek e të them se Mbappe është një lojtar klasi. Me tre mundësi të marra, ai shënoi tre gola. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, i cili ka një talent të madh. Ai është ende i ri dhe ka të gjithë kohën e mundshme përpara për të thyer rekorde dhe për të fituar trofe.

Do të mbahet mend gjatë kjo finale, sepse mënyra se si shkoi rezultati dhe se si ndryshuan gjërat, bën që të hyjë në histori kjo ndeshje. Ka patur edhe finale më të bukura ndoshta, por kjo do të mbahet mend gjatë.

Messi do të luajë ende me Argjentinën edhe pas përfundimit të Kupës së Botës?Messi kishte atë dëshirën e madhe për të luajtur me fanellën e Argjentinës si kampion bote. Ai e dëshiron këtë kënaqësi. Por ai e theksoi se tashmë i ka arritur të gjitha.

Messi theu rekorde duke luajtur më shumë ndeshje në Botëror, ai që ka luajtur më shumë minuta në Kupën e Botës duke thyer atë të Maldinit. Ai kaloi Pele por jo Klose për golat në Kupën e Botës.

Me pak fjalë, argjentinasi është një lojtar që thyen vetëm rekorde.”

Gjithashtu, Kuka shpjegoi shkurt edhe mantelin arab që Messi veshi përpara se të ngrinte në qiell Kupën e Botës.

“Manteli arab që veshi Messi është një veshje që emirët nderojnë persona të rëndësishëm, të cilët kanë bërë arritje të mëdha ose në shenjë respekti për diçka të rëndësishme.

Mikëpritja vendase nuk refuzohet lehtë, edhe sikur Messi nuk do e dëshironte si gjë, ai do të duhej ta provonte”, është shprehur Kuka./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!