Kujtimet e përkthyesit të Kadaresë dhe Enver Hoxhës: Në tetor të 1980-ës, drejtori i Shtëpisë Botuese, më thirri në zyrë…

schedule08:00 - 17 Gusht, 2024

schedule 08:00 - 17 Gusht, 2024

Nga Albert Vataj

Plot 108 vite më parë, më 16 mars të vitit 1916, lindi një prej personaliteteve më të spikatur të kulturës shqiptare, Jusuf Vrioni. Tradita shqiptare e përkthimit, ruan në kujtesën e vet emrat dhe veprën e shumë zelleve pasionante dhe vetmohuese, që me hirin e tyre të ngadhnjyesit ndërtuan ura komunikimi, duke e bërë të përbotshme shpirtin dhe kumtin estetik shqiptar. Jusuf Vrioni është një prej atyre yjeve që shndriti në qiellin e këtij mrekullimi. Sot në këtë kremte, i detyrohemi përunjësisht një kujtesë njeriut të përkorë, intelektualit të përmasave botërore, përkthyesit që mësoi të flasin frëngjisht, kryeveprën e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.

Koha e përkthimeve

…Përkthimet e teksteve zyrtare, nuk bëheshin gjithmonë pa shkaktuar probleme, të cilat reflektoheshin tek unë, sipas rëndësisë që kishin, herë me mërzi kalimtare, herë me shqetësime të mirëfillta. Më kujtohet një gazetar dhe botues francez, i quajtur Patrik Kesel, i cili erdhi në Tiranë për të përgatitur në Francë, volumin e XIX të veprave të plota të Enver Hoxhës, që mbanin titullin; “Divergjenca e madhe” dhe që trajton prishjen me revizionistët.

Për të kishim përkthyer lloj-lloj dokumentesh: proces-verbale të mbledhjeve të anëtarëve të Byrosë Politike, tri fjalime të Hoxhës (atë të Bukureshtit në qershor 1960, atë të Konferencës së 81 partive Komuniste në Moskë, në nëntor të po atij viti, si dhe një tjetër, që ai e mbajti kur u kthye nga kryeqyteti sovjetik).

Këtyre teksteve, mjaft të gjalla me ngjyrime, i shtohej edhe shkëmbimi i korrespondencës midis Mehmet Shehut dhe numrit një, midis këtij të fundit dhe Hysni Kapos dhe, së fundi, midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Keseli kishte si bashkëpunëtor Misto Treskën, kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme dhe frankofon. Pasi i kaluan në sitë tekstet tona, na i kthyen të mbushura me vërejtje, duke vënë në dukje, diku një të ashtuquajtur kuptim të rremë, diku tjetër një kundër-kuptim.

Gjithë ndryshimet që bënë ata, u çuan në sferat e larta, dhe kështu nisi pritja. Ndërkohë unë, i shtyrë nga skrupujt, por gjithashtu ndofta edhe për të qetësuar frikën që më kishte zaptuar, ia dhashë ta lexonte tekstin e plotë një francezi, i cili në atë kohë punonte në Radio-Tirana. Reagimi i tij ishte i shpejtë: “Ata janë të marrë! Nuk ka kuptime të rreme, as kundër-kuptime. E shumta, mund të flasim për ngjyrime kuptimi”!

Pritja u zgjat. Nëndrejtoresha e Shtëpisë Botuese të Librit Politik (“8-Nëntori), më njoftoi se ky problem do të shqyrtohej në Komitetin Qendror. Sigurisht, kjo çështje, në realitetin e atëhershëm, bënte pjesë në të pathënat dhe do të shihej, mesa dukej, nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enverit, e cila do t’ia parashtronte këtij të fundit. Ndjeva se ekzistenca ime po ndodhej përsëri në udhëkryq.

E dija se disa prisnin shkasin më të vogël, për të më dhënë goditjen përfundimtare. Me prejardhje dhe me formim “të kundërt”, ata më quanin mua; “uzurpator”. Pas dy ditë e gjysmë pritjeje, nëndrejtoresha thirri ekipin tonë të vogël. Nëndrejtoresha, e cila në fund të fundit ishte komuniste, ishte një nga njerëzit më të drejtë dhe më të ngrohtë që kam njohur. Ajo më qetësoi menjëherë. Kisha pasur fat, më tha ajo, sepse kisha shpëtuar për qime. Komiteti Qendror, ia linte gjykimit tonë, (d.m.th., timit), versionin përfundimtar të tekstit…!

Gjatë kësaj periudhe, pati disa episode të tjera, që vërtetonin rëndesën e kontrollit të ushtruar ndaj meje, sidomos lidhur me një libër, të cilin Enver Hoxha e kishte titulluar “Eurokomunizmi është anti-komunizëm”. Ishim në vitin 1980. Në këtë vepër, Sekretari i Parë i Partisë, sulmonte me tërbim rrymën euro-komuniste, që ishte shfaqur në Evropën Perëndimore, sidomos në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Ai e quante Santiagi Karilon “Renegati Karilo”.

Hoxha nuk kursente as udhëheqësit komunistë dhe shkrimtarët francezë; të gjithë e kishin nga një damkë, që nga; “Zorzh Marsheja, i cili përqafoi teorizimet e Rozhe Garodisë, dhe na del këtu si një pasardhës i Titos”, e deri tek shkrimtarët dhe “ish-mbrojtësit e realizmit socialist, si; Aragoni, Andre Stili, Andre Vyrmser, të cilët, jo vetëm e drodhën, por ia shitën gjithashtu shpirtin dhe lëkurën revizionizmit”…!

Libri ishte përkthyer dhe ishte bërë gati për shtyp. I vetmi problem që kisha, ishte titulli. T’i vija, apo të mos i vija presje (L’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme)? Në shqip nuk kishte presje, por unë kisha parasysh, veprën e Prudonit, “La proprieté c’est le vol) (Prona është vjedhje). Në disa botime, ky titull ka presje, në disa të tjera jo…!

E vura titullin frëngjisht…! Pas disa ditësh, më telefonuan në zyrë nga Komiteti Qendror, ku kishin çuar kapakun e librit. “Ç’është kjo presje”?! më pyeti një zë autoritar. Unë u përpoqa ta argumentoja zgjedhjen që kisha bërë, jo në rrafshin gramatikor, por duke folur për ritmin, kadencën.

Reagimi i zyrtarit ishte i prerë: “Jo, jo! Presja duhet hequr”! Komiteti Qendror dha urdhër të ktheheshin në karton, 50 mijë kapakët e shtypur, sepse ishte e pamundur ta fshije atë dreq presjeje, nga letra e lustruar. U porosit një kapak tjetër, pa shenjë pikësimi dhe libri u botua. Nga ana personale, nuk pata ndonjë pasojë të veçantë. Për fat të mirë, nuk ishin në ato kushte që dikton Siorani, kur shkruan: “Ëndërroj për një botë, ku mund të vdesësh për një presje”…!

…Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. “Lexoni çka brenda”! – vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste, më përgëzonte për përkthimet e mia.

E kishte fjalën, vetëm për përkthimet politike? Jam i prirë të mendoj se, kur ia kishte lexuar “Dimrin e madh” dhe kapitullin që flet për të, diçka kishte shkrepur në mendjen e tij. Me siguri e kishte lexuar. Pikërisht në atë çast, mendova unë, ai ishte nisur të bënte këtë gjest…! Natyrisht ata që u mërzitën nga ky lloj suksesi, u munduan të më zhysnin në hije, duke nxjerrë në pah meritat e përkthyesve të tjerë, për bashkëpunëtorët e Sigurimit, fakti që unë kisha përkthyer Enver Hoxhën, nuk e ndryshonte fare shkallën time, të “rrezikshmërisë shoqërore”.

Fshehurazi, ata përpiqeshin të më paraqisnin sa më keq, duke lënë të nënkuptohej se, duke punuar me përkujdesje për përkthimet e mia, mundohesha të bëja, nuk e di se çfarë mashtrimi…! Fakti që përktheja Kadarenë në frëngjisht, më vinte gjithashtu, në një pozitë delikate, sepse në atë kohë ai nuk shihej me sy të mirë, nga disa struktura të pushtetit. Atë e kritikonin për trajtimin subjektivist që i bënte historisë, si dhe për përdorimin, krejtësisht personal, sipas tyre, të fondit mitik të Shqipërisë.

Shefi i redaksisë, i kishte zët lidhjet e mia, madje mjaft të rralla me Kadarenë. “Po e kalon kohën, duke përkthyer Ismailin, – më thoshte ai. – Ka libra shumë më të rëndësishëm, që presin të përkthehen!” Kështu, pra ndodhesha në një gjendje paradoksale: nga njëra anë përktheja një mjeshtër të imagjinares dhe poezisë dhe, nga ana tjetër, mishëruesin e ashpërsisë dhe të fundin përfaqësues të “vijës së pastër”.

Jepja në frëngjisht dy botë antagoniste, të cilat u drejtoheshin dy lloj lexuesish, shumë larg njëri-tjetrit. Për Kadarenë, punoja hapur në shtëpinë time, ndërsa për Enver Hoxhën, përkthimi rrethohej nga një atmosferë paranoje dhe sekreti, tipik për regjimin.

Na porosisnin vazhdimisht se; nuk duhej të nxirrnim asgjë nga përmbajtja e teksteve. Drejtoria kishte vënë hekura te shkalla e katit, ku punonin përkthyesin e “Njëshit”; ne ishim të veçuar nga pjesa tjetër e Shtëpisë Botuese. Në mbrëmje, tekstet e Enver Hoxhës, futeshin nëpër kasaforta. Ndihej konkretisht mania e sekretit, frika e përhershme nga spiunazhi. Nuk e di se ç’mund të kishin bërë “revizionistët” e gjorë, me këto tekste, në rast se do të ishin përpjekur t’i shtinin në dorë; na thoshin që, në rast se ndodhte një gjë e tillë, do të ishte e tmerrshme. Sikur ato shkrime të ishin përçues të formulave të shenjta, vendimtare për të ardhmen e botës!

Jetëshkrimi i Jusuf Vrionit

Ai u lind në Korfuz, Greqi, më 16 mars 1916. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja u shpërngul në kryeqytetin francez, më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor, Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut “Janson de Sailly”, Paris dhe atë të lartë, në “Grande École des Hautes Études Commerciales” dhe në “Institut d’Études Politiques” të Parisit.

Më 1939 rikthehet në Shqipëri, por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë, për të vazhduar studimet e tij të mëtejshme. Rikthehet në Tiranë më 1943, datë kjo që shënon dhe përmbysjen e fatit të tij. Më 13 shtator 1947, arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për “spiunazh dhe agjitacion e propaganda”. Prej shkurtit 1949 e, deri më prill 1950, torturohet barbarisht një njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes.

Në korrik 1950, dënohet me 15 vite heqje lirie dhe punë të detyruar në Shtyllas të Fierit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë, si përkthyes. Ndër përkthimet e tij të para, numërohet romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes, do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë, vetëm në vitet 1980.

Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni, gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegancës së frëngjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80-të, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes i pashoq, në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë kulturës së tij multidimensionale, si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997, do ta detyronte tashmë të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur.

Më 1998-ën, emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze, me urdhrin; “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati tij, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920-të, me urdhrin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001, ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë, në UNESCO. Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit, do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 qershor 2001, me titullin “Qytetar Nderi”. Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë, më 2006, krijoi çmimin “Jusuf Vrioni”. Kishte patur shumë në jetë, por kishte marrë shumë pak. Dhe kishte qenë ‘Aristokrat i dijes’, njeriu i vullnetit të pathyeshëm, njeriu i papërkulur përpara punës, filozofi dhe mendimtari Jusuf Vrioni.

– “Më mirë bëji vetes keq, se sa tjetrit, ky ishte një nga parimet e Vrionit”, – kujton Edmond Tupja, përkthyesi, i cili ka punuar për vite me radhë me njeriun, i cili edhe pse shumë i nxënë në dije, i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta Tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, vuajti 13 vjet burg, në kampet dhe burgjet famëkeqe të diktaturës. Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rëndat.

Punoi në tharjen e kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit, dhe ndërroi disa herë kampet e përqendrimit dhe qelitë e burgut. “Kam kënaqësi kur gjej vështirësi në punë, se puna e mirë nuk del kollaj”, – u thoshte gjithnjë kolegëve të tij, Jusuf Vrioni, i cili pasi doli nga burgu, punoi si përkthyes në ish-Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”. Në këtë Shtëpi, ku përktheheshin veprat e Enver Hoxhës dhe vepra të Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli në pension, në vitin 1990.

Aty ai ndërtoi jetën, aty kishte miqtë e tij, aty do të mësonte me dashamirësinë e tij edukatën e punës tek kolegët, të cilën e kishte në çdo shqisë të tij.“Intelektual i një niveli të lartë, një nga mendjet e rralla enciklopedike në Shqipëri, Ai, ishte njeriu”, – thotë përkthyesi Edmond Tupja. – “Jusuf Vrioni ishte filozof dhe mendimtar, njeri me karakter të fortë, por ishte bujar dhe  solidar dhe kurdoherë i papërtuar përpara punës”, – thotë Tupja. Të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në Francë, mbajnë përkthimin e Jusuf Vrionit.

Dhe Vrioni ka padyshim peshë të rëndë, në suksesin që shkrimtari i njohur i Shqipërisë, ka patur në një nga vendet më sqimtare në kulturë. Siç është shprehur Kadare, kur ndërroi jetë Vrioni; “Ai është humbje kulturore, sa edhe personale, sepse ishte përkthyes i pazëvendësueshëm. Ai ishte miku im, bashkëpunëtori im në një aksion të madh që vazhdoi 40 vjet”. Si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s, Vrioni, ndonëse i thyer në moshë, nuk do të reshte asnjëherë të punonte.

Libri i tij, “Botë të fshira”, i shkruar direkt në gjuhën frënge, njohu sukses të madh e të padiskutueshëm në qarqet intelektuale parisien. Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf Vrioni në Tiranë, më 1 qershor 2001. Intelektual i përmasave europiane, i nderuar me “Medaljen e Madhe të Frankofonisë”, me Urdhrin “Kalorës i Arteve dhe Letërsisë”, me Urdhrin e “Legjionit të Nderit”, ai mbante dhe titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Arles”.

Jusuf Vrioni, njeriu që jeta e goditi shumë dhe që pati atë mirësi dhe forcë karakteri për ta përballuar, luajti një rol të pakrahasueshëm në njohjen e letërsisë shqipe në botë, duke i sjellë kështu një shërbim të madh kombit shqiptar. Këtë shërbim ai ia bëri në kohën, kur kombi kishte nevojë më tepër se kurrë të çante izolimin e tij politik e kulturor. Për këtë kultura shqiptare do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!