“Kujdes me flamën se e hoqa vetë”, Rama njofton politikat e reja mbështetëse

schedule09:30 - 30 Janar, 2023

schedule 09:30 - 30 Janar, 2023

Duke pirë kafen e mëngjesit, kryeministri Edi Rama shpjegoi se arsyeja se pse nuk ka dalë në publik ditët e fundit ka qenë gripi. Nëpërmjet videos, kreu i qeverisë bëri me dije se këto ditë ka vijuar punën ndërsa njoftoi politika të reja mbështetëse jo vetëm për pensionistët por dhe për sektorin privat.

“Fillim javë të mbarë. Bëni kujdes me këtë flamën gripale që është vërdallë se e hoqa vetë dhe s’të bën për burrë siç thonë tironcit. Nuk e kam ndalur komunikimin me skuadrën time, sidomos me financat për disa politika të reja mbështetëse duke nisur nga pagat minimale te pagat për disa kategori të veçanta burimesh njerëzore.

Mbështetja me strehim e mjekëve, ushtarakëve, policëve që kanë një familje të re. Natyrisht pakoja tjetër për pensionistët, e domosdoshme në pranverë nga rindarja e taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë siç jemi zotuar.

Na vjen mirë që pakoja e madhe ka lehtësuar ndjeshëm 1 milion përfituesit e saj çka vihet re në një rritje të kënaqshme të konsumit. Po e dimë që duhet akoma duke filluar nga ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat sidomos ata në prodhim që duhet të paguhen më shumë dhe sa më parë.

Së shpejti do ti diskutojmë dhe do t’i vendosim në qeveri dhe do të bëjmë me dije këto politika që thellojmë më tej qeverinë e shumicës dhe jo e disave.“, shprehet Rama./abcnews.al