Zgjerimi i Greqisë, Rama: E drejtë e çdo vendi, të pafetë i fryjnë zjarrit për trazira para zgjedhjeve

schedule11:09 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 11:09 - 29 Dhjetor, 2020

I pyetur rreth çështjes së kufirit detar me Greqinë, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria nuk ka për çfarë të reagojë apo kundërshtojë sepse vendi fqinj është në të drejtën e tij. Po ashtu, Rama tha se Presidenti, opozita dhe Prishtina po “i fryjnë këtij zjarri” në mënyrë të qëllimshme për të krijuar trazira të tjera përpara zgjedhjeve.

“Ata që i fryjnë këtij zjarri, janë të qëllimshëm. Qoftë nga Lalzi, qoftë nga presidenca qoftë nga Prishtina. Janë të qëllimshëm. E kam të vështirë të besoj që këta fryrës të jenë kaq të mangët nga mendja e kokës. Por kjo që bëjnë për mua është e qëllimshme, për të luajtur me ndjenjat kombëtare, me ndjeshmëritë, patriotike, për të shfrytëzuar rastin, që të krijohet një sebep për sherr, e për t’i ndarë punët mes tradhtarësh e patriotësh.”

Rama solli gjithashtu në vëmendje si Shqipëria në vitin 1990 ka bërë të njëjtën gjë që po kërkon të bërë Greqia sot.

Shqipëria, sipas tij, e ushtroi këtë të drejtë me anë të presidiumit të kuvendit popullor dhe e depozitoi në maj të këtij viti në Kombet e Bashkuara.

“Shqipëria, në 1990 ka bërë atë që bën Greqia sot. E kam shpjeguar, sipas konventës ndërkombëtare të detit, çdo shtet, ka që dalje në det, ka të drejtën të zgjerohet 12 milje përtej kufirit ekzistues. Të njohur më parë, aty ku është e mundur. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në ’90 me një dekret të presidiumit të kuvendit popullor dhe e ka depozitur ushtrimin e kësaj të drejte në maj, në OKB. Nuk rezulton që Greqia në atë kohë të ketë bërë ndonjë reagim apo deklaratë. Joni është shumë më përtej pjesës sonë. Në pjesën tonë. Mes dy palëve nuk ka mundësi fizike për t’u shtrirë 12 milje të dyja vendet.”

Sipas kreut të qeverisë, nëse kjo çështje do të ishte siç e quajti ai, kaq banale, vendet nuk do të ishin duke iu drejtuar gjykatës. s.b/abcnews.al/