Kufijtë dhe dialogu, kryetarja e Preshevës në “Ballkan”: Ne jemi të përgatitur për çdo skenar

schedule20:45 - 14 Korrik, 2021

schedule 20:45 - 14 Korrik, 2021

Nga Linda Karadaku

Komuna e Preshevës dhe Lugina nuk kanë vetëm problemin e pacifizimit të adresave dhe diskriminimin politik. Ekonomia është një nga problemet më të mëdha.

“Komuna e Preshevës, është një nga më të pazhvilluarat në Republikën e Serbisë, shkalla e papunësisë është 70 përqind, bujqit tanë diskriminohen, ekonomia e vogël dhe e mesme diskriminohen, ekonomia nuk subencionohet, po të vijë një vizitor në Luginën e Preshevës, pavarësisht nga pozita gjeo-strategjike që ka Lugina e Preshevës, korridori 10, e kemi hekurudhën, kufijtë me Maqedoninë e Veriut dhe me Kosovën, dhe investitorët janë të interesuar të vijnë dhe të investojnë në atë rajon.

Një investitor i huaj po të dojë të vijë dhe të investojë në Luginën e Preshevës, nuk subvencionohet, ndërsa po të shkojë në komuna të tjera në Serbi, subvencionohet me 5 mijë deri në 10 mijë euro për një vend pune, ndërsa pot ë vijë në Luginën e Preshevës nuk subvencionohet” thotë për “Ballkan”, Ardita Sinani, kryetare e komunës së Preshevës.

Dialogu Kosovë-Serbi ka rifilluar dhe ajo që pret Lugina është që të jenë në vëmendjen e Kosovës. “Ne jemi të përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm. Nëse kërkohet realizimi i të drejtave të serbëve të Kosovës, atëherë pse të mos ketë reciprocitet me shqiptarët e Luginës së Preshevës si pakica më e diskriminuar në Serbi.

Po ashtu, nëse trajtohet autonomia territoriale, atëherë duhet të trajtohet edhe kjo temë, po ashtu, nëse trajtohet ri-përcaktimi i kufijve, që ne shqiptarët e Luginës së Preshevës kemi kërkuar me referendumin e 1 dhe 2 marsit të 1992-it, ka qenë vullneti popullor i shqiptarëve të gjithë Luginës së Preshevës, atëherë edhe kjo cështje të trajtohet në tryezën e bisedimeve.

Dhe besoj se në këtë fazë finale të dialogut Kosovë-Serbi, vëmendje dhe prioritet të ketë edhe pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës,” thekson kryetarja e komunës, Sinani./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!