Kufijtë detarë/ Kotzias: Negociatat me Shqipërinë të bllokuara

schedule18:04 - 20 Shtator, 2018

schedule 18:04 - 20 Shtator, 2018

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka bërë përgjegjëse Shqipërinë për bllokimin e negociatave për kufijtë detarë. Në një konferencë për shtyp me homologun gjerman, Kotzias ka deklaruar se shkak për këtë ngërç janë bërë përplasjet politike të presidentit me qeverinë dhe Gjykata Kushtetuese.

Marrëveshja për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë është bllokuar për shkak të politikave të Tiranës zyrtare. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, i cili ka pritur të enjten në Athinë homologun gjerman Hajko Mas.

“Negociatat janë të bllokuara, por jo për fajin tonë, jo për faj të Ministrisë sonë të Jashtme, por për shkak të problemeve administrative dhe mosmarrëveshjeve që presidenti i këtij vendi ka me qeverinë”, ka deklaruar Kotzias.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, shefi i diplomacisë greke e ka vënë theksin edhe tek situata në të cilën ndodhet Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, që siç ka thënë ai, për momentin është jashtë funksionit. Ndër të tjera, Kotzias ka ritheksuar mbështetjen për marrëveshjen e emrit me Maqedoninë, e njohur ndryshe si marrëveshja e Prespës.

“Historia duhet të shërbejë si shkollë dhe jo si burg. Marrëveshja na nxorri nga burgu, disa duan të rikthehen, por ne nuk do t’i ndjekim”, ka vijuar Kotzias.

Në të njëjtën linjë, ministri gjerman ka vlerësuar kontributin e Athinës në arritjen e marrëveshjes, duke e cilësuar qasjen e saj si “shenjë të një politike të përgjegjshme” që i kontribuon edhe sigurisë në rajon e Europë.

“Është një mundësi historike dhe më duhet të them se pa angazhimin dhe durimin e të dyja palëve nuk do të ishim këtu. Kjo marrëveshje mund të mos i kënaqë të gjithë, por është shenjë e politikës së përgjegjshme”, ka thënë Mas. Ai ka shprehur shpresën e tij që pakti i arritur të miratohet edhe në referendumin që do të mbahet në Maqedoni, pasi ndihmon në pajtimin mes popujve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!