Kuçova vetëm në 3D, premtimet e harruara të qeverive

schedule20:54 - 25 Qershor, 2022

schedule 20:54 - 25 Qershor, 2022

Kuçova ishte një ndër qytetet më të rëndësishme të naftës në Shqipëri. Banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth ishin dikur thuajse të gjithë të punësuar në industrinë e naftës. Brenda varfërisë së regjimit, qyteti dukej më i sigurt për shkak të garancisë që jepte puna në industrinë e naftës. Pas ndryshimit të sistemit komunist si çdo sektor tjetër dhe ai i naftës pësoi tronditje. Nga 1700 puse naftë që ka Kuçova, kanë mbetur vetëm rreth 600 funksional.

Qeveritë e 30 viteve nuk patën një strategji të qartë për menaxhimin e kësaj industrie dhe kështu, Kuçova si dhe vende të tjera naftëmbajtëse në Shqipëri u kthyen në hambar të ardhurash për kompani të caktuara shqiptare dhe të huaja ndërsa banorët e këtyre vende varfëroheshin gjithnjë e më shumë.

Humbën mundësinë edhe për minimumin, ushqimin për familjen duke punuar në puset e naftës. Kështu, nga një burim përmes të cilit mbahej qyteti, nafta u kthye vetëm në kërcënim për shëndetin e tyre ndërsa papunësia dhe varfëria do ta kthenin Kuçovën në gërmadhë.

Si në çdo qytet apo fshat të Shqipërisë, edhe për Kuçovën pati premtime të bujshme nga të gjitha qeveritë. Pati premtime që nafta do të kthehej në mirëqenie për vendin.

Në vitin 2013, “Rilindja” premtoi se do të zgjidhte një herë e mirë hallin e kuçovarëve për t’i garantuar punë e mirëqenie falë naftës që gjendet në këto anë.  Por në të vërtetë nafta e nëntokës së Kuçovës vazhdon të mbetet një vend ku gjithkush mund të përfitojë përveç banorëve të këtij qyteti.

Kryeministri Rama harroi shpejt naftën dhe u fokusua tek fasada. Në tetor 2019  ai u shfaq në Kuçovë dhe me bujë prezantoi projektin 3D për rikonceptimin e parkut të Kuçovës.

Një projekt që parashikonte të ndryshonte qytetin. Mbuluar me gjelbërim, pedonalet, parqe e gjithçka tjetër që qyteti të  dukej si në përrallë.

Qeveria shqiptare kishte akorduar një fond prej një miliard e gjysmë lekë për të përfunduar plotësisht projektin në një afat kohor prej 12 muajsh.

Projekti do të zhvillohej nga Fondi Shqiptar i zhvillimit. Komisionet e  tenderimit nxituan që të kryejnë procedurat për të përcaktuar kompaninë fituese.

Kontrata me kompaninë ishte nënshkruar në dhjetor 2018 dhe kohëzgjatja e punimeve ishte parashikuar vetëm 12 muaj.

Atë ditë kur kryeministri prezantoi projektin në Kuçovë, fare pranë  ishin rreshtuar disa makineri të rënda, kishin nisur të zhurmonin a thua se në çast do të niste puna.

Por jo, nuk nisi atë ditë as tjetrën dhe as 1 mijë ditët që pasuan. Punimet kanë nisur në nëntor 2021 dhe janë ende në fazën fillestare. Kompania që fitoi tenderin për ndërtimin e parkut është paguar në shumicën e fondit, ende pa nisur punimet.

Banorët e Kuçovës do të dalin prapë ta presin me krahë hapur liderin e tyre e prapë do t’i thonë: “lum Shqipëria që të ka…” ndërkohë në pragjet e shtëpive të tyre do të vazhdojë të rrjedhë nafta dhe era e saj e keqe  dhe efekti i gazrave do të vazhdojnë të flladisin mushkëritë e fëmijëve të tyre… parku i premtuar për qytetin do të vazhdojë të qëndrojë në 3D kushedi dhe për sa kohë dhe kuçovarët do të vazhdojnë të jetojnë varfërinë e skajshme mbi një tokë që mbulon miliona dollarë./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!