Lulzim Basha ka shpallur një stinë protestash që do kulmojnë më 16 Shkurt në Tiranë, sipas tij deri në largimin e Edi Ramës. Me një ekip të ri, të zgjedhur prej tij, kjo lëvizje e selisë blu, ende nuk po impakton publikun. Ku po shkon Lulzim Basha? Eshtë pikëpyetja që ngre këtë javë Mimoza Kociu me Politika në ABC News.
Emrat e kryesisë së re të PD monopolizuan debatin publik, duke u përdorur madje edhe si matës për suksesin e aksionit të ri, protestave. Selia blu pati një ritëm çuditërisht të ngadaltë e nuk arriti ta orientonte debatin tek kauza e re. Ky vakuum strategjie u mbush me skepticizmin e njohur ndaj Lulzim Bashës. Interesant mbeti qasja e butë e Kryeministrit ndaj aksionit të ri opozitar, që synon ta largojë përmes protestave. Edi Rama pati komoditetin ta justifikonte si nevojë për energji, krizën që i detyroi ndryshimin e 70% të kabinetit qeveritar. Delegoi aty ku deshi detyrën e ministrit të Jashtëm, e gjeti kohën edhe për artin e vet, e të premten hapi ekspozitën e radhës në Berlin.
Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Vendimin për të zbritur në sheshet e Shqipërisë, deri në largimin e Edi Ramës, Lulzim Basha e përsëriti në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, të hënën e javës politike që lamë pas. Përballë kishte një Kryeminister që komoditetin e reflektonte në pamje. Sapo ka ndryshuar 70% të qeverisë, një lëvizje me të gjitha tiparet e një krize, por Basha zgjodhi të luantë kartën e pakënaqësisë së socialistëve që nuk u konsideruan për ato ndryshime.
Lulzim Basha u largua, por Edi Rama nuk mund të lejonte që ajo pakënaqësi që nuk është më secret, të mbillej aq hapur në sallën e Kuvendit. U kujdes të theksonte se objektivi i Bashës ishte PS, e jo ai si kryetar i saj. Vazhdon t’i ketë konstante 78 votat në Kuvend. I pati edhe pro miratimit të tij si ministër i Jashtëm. Megjithatë diçka i kishte mbetur pa thënë në seancë, e prandaj thirri mediat në oborrin e Kuvendit.
Marrëdhënia me Metën u lexua që të nesërmen, në ceremoninë e betimit si ministër i Jashtëm. E para, media nuk u njoftua për atë ceremoninë. Një pritje e thjeshtë protokollare në hyrje dhe Rama iu drejtua direkt sallës së ceremonisë. Në raste të tilla ekziston një traditë mikpritjeje disaminutëshe në zyrën e Presidentit, por që në rastin e Edi Ramës mungoi. Në pamjet e përcjella nga zyra e shtypit e kreut të shtetit, ceremonia ishte krejt formale. Kryeministri shoqërohej nga numri 2 i PS, Taulant Balla dhe sekretari i përgjithshëm i Kryeministrit. Ndryshe nga ceremonia e betimit të ministrave të rinj, Edi Rama e kreu gjestin protokollar të fotos me kreun e shtetit. Pamjet nuk e fshihnin gjendjen emocionale të të dyve, njëlloj si ky njoftim me tone shpotie i presidencës, se ministri i Jashtëm u betua para Presidentit.
Por Edi Rama kishte tjetër gjë në mendje. E testoi shprehjen proverbiale të Shtatorit 2013, se nuk keni parë asgjë akoma, të mërkurën e javës politike që lamë pas, kur mediat u njoftuan për kalimin e stafetës te MEPJ. Ditmir Bushati, që gati 6 vitet në krye të diplomacisë i mbylli me arritjen historike të marrjes së drejtimit me rotacion të OSBE nga shqipëria, nuk e fshehu tonin sfidues, për postin që u detyrua të dorëzonte. Tirada e hollë e Ditmir Bushatit, nuk pati kohë të ngjiste, sepse Edi Rama bëri lëvizjen e papritur.
“Unë i nënshkruari Edi Rama, i delegoj z. Gent Cakaj, detyrën e drejtimit të Ministrisë së Jashtme”.
Asgjë nuk kishte ndryshuar insistimin për t’ia dhënë 28-vjeçarit Gent Cakaj, detyrën që i mohoi kreu i shtetit. Në paraqitjen e objektivave të Ministrisë së Jashtme, Gent Cakaj nuk harroi vlerësimin e përsëritur për Ramën, vëmendjen për socialistët dhe kritikët e tij. Pas aktit të ushtrimit të pushtetit nga Rama, Meta reflektoi pakënaqësi. Por me Ramën ka disa çështje pezull. Dy ligjeve të kthyera në Kuvend, i shtoi edhe propozimin e dytë për kreun e KLSH, pas Vitore Tushës që u rrëzua nga socialistët. Propozoi emrin e këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, Bahri Shaqiri, i diplomuar si jurist e me një licencë auditimi.
Por socialistët nuk duken dakord me kandidaturën e ish kreut për 7 vite të SHISH, shkarkimin e të cilit nga Nishani me kërkesë të Berishës Kryeministër, vetë Edi Rama e pati dënuar. Në atë kohë Shaqirit iu ofrua detyra e këshilltarit të Ministers së Mbrojtjes Kodheli që e mbajti pak, për t’u paraqitur si propozim i LSI për zv/ministër i Transporteve, nga ku u largua me kalimin e LSI në opozitë, për të shkuar pranë Presidentit Meta si këshilltar për sigurinë. Një arsye në dukje e fortë që Rama ta rrëzojë edhe propozimin e dytë të Metës.
Në këtë panoramë Lulzim Basha duket më i tërhequr, të paktën publikisht. U deshën dy mbledhje të kryesisë së re, një e kolegjit të kryetarëve, e një mbledhje grupi parlamentar, që të vendosej se protesta në Tiranë do mbahej më 16 Shkurt, e do paraprihej nga protesta në rrethe, duke nisur nga 4 Shkurti. Nënkryetari i konfirmuar i PD, Edi Paloka, pas mbledhjes së grupit parlamentar, ku Basha mungonte për arsye shëndetësore, u kujdes të nënvizonte se të majtë e të djathtë kanë të njëjtin problem. Mungesa e një strategjie komunikimi të këtij aksioni të PD, i la hapësirë analizës së kryesisë së re, në funksion të kauzës së protestave, e peshë morën kritikët e Bashës.
Eshtë e njohur mungesa e kimisë së ish-nënkryetares demokrate Topalli me Lulzim Bashën, që si kryetar, e la jashtë Kuvendit. Por me eksperienca 22-vjecacre në PD, Topalli bën analizën e saj në formë akuze. Një orë më vonë, të njëjtën mbrëmje, Lulzim Basha pati një mbrojtës të fortë të aksionit të vet opozitar. Po aq interesant është edhe kujdesi i Berishës, ndaj qëndrimeve të ish-bashkëpunëtores së tij të ngushtë.
Një kortezi që e ruan edhe vetë Jozefina Topalli, kur e shmang Berishën nga lista me 4 personave që ka identifikuar, se po mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve.
Po çfarë po bën vallë Edi Rama në këtë situatë? Ka gjithë hapësirën të prodhojë imazhin se ndryshimi i qeverisë, nuk ishte shenjë krize, por nevojë për përmirësimin e gjërave. Dy janë ministrat protagonistë, Besa Shahini që po merret me studentët dhe Belinda Balluku ministrja e re e Infrastrukturës e Energjitikës, që po rishikon kontrata të paraardhësve të vet. Por në rastin e studentëve në komunikim u përfshi edhe Kryeministri. Bashkëbisedimi në Elbasan ishte i qetë, por në Tiranë, studentët janë të ndarë mes protestës, bojktotit e mësimit. Ka një stituatë pa zgjidhje tek Fakulteti Juridik, ku bojkoti i disa studentëve ka bllokuar mësimin edhe për studentë që duan mësim. As dekani i këtij fakulteti e as rektori Mynyr Koni, nuk e gjetën gjuhën me studentët që kërkojnë plotësim të 8 kërkesave të hershme e anullim të ligjit për arsimin e lartë. Në fakt javën politike që lamë pas, kundër ligjit janë shprehur tashmë me vendim edhe trupat e pedagogëve të disa fakulteteve, filologjiku, shkencat sociale, shkencat e natyrës e gjeologjiku. Por ndyshe nga studentët, pedagogët ende nuk kanë gjetur vëmendjen e Kryeministrit.
Javën politike që lamë pas, u duk se Lulzim Basha delegoi artikulimin publik opozitar. Daljet nga selia blu janë sistematike, me denoncime të ditës, e pa një adresim strategjik tek protestat. E qëndrueshme mbetet protesta e cdo pasditeje tek unaza e re, me deputetin Klevis Balliu. Ndërkaq aleatët e Bashës, ndjejnë një mungesë koordinimi
Lulzim Basha u dënua me 50 mijë Lekë për shpifje nga gjykata penale, pasi deklaratat e tij në parlament ku akuzoi Taulant ballën si i përfshirë në futjen në shqipëri të një sasie eurosh me Toyota Yaris në Durrës, u gjykuan si denigrim i nr 2 të PS, ndërsa hetimi për pronësinë e 3.4 milionë eurove që u kapën në Durrës vazhdon.
Në fakt standardet e vettingut i vuri dy herë në pikëpyetje javën politike që lamë pas, sekretari i ri ligjor i PD, juristi me eksperiencë Clirim Gjata. Dëgjesa para KPK, e kreut të prokurorisë së krimeve të rënda Donika Prela, u dominua nga rezervat e shprehura ndaj saj, nga përfaqësuesi i ONM Theo Jacobs, për evasion fiskal.
Dy janë datat e rëndësishme për vendin 5 muaj më vonë: zgjedhjet vendore e opinionin e KE për hapjen e negociatave. Rumania që mori presidencën 6 mujore të BE, e paraqiti si prioritet hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë. Por edhe pas këtij lajmi të mirë, ambasadori i BE në shqipëri vazhdon të nënvizojë dy pika të nxehta: reformën zgjedhore bashkëpunim mes aktorëve politikë
Kërkesa e Bashës duket një deja-vu, por ndryshe nga 2017-a, mazhoranca nuk po refuzon prerazi. Sali Berisha kujdeset ta justifikojë atë marrëveshje që ende i peshon Lulzim Bashës, si një test se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira
Protesta e fundit e Lulzim Bashës i takon 27 janarit 2018, ku kërkohej largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie antimafia. Më shumë se një vit më vonë, Lulzim Basha ka të njëjtën kërkesë, i mbështetur edhe nga denoncimet sistematike për qeverinë, një pjesë nën hetim nga prokuroria. Ritmi i ngadaltë publik i javës politike që lamë pas, krijoi hapësira që u mbushën me skepticizëm, e Lulzim Basha duhet të provojë se mund t’ia dalë të frymëzojë me strategjinë dhe ekipin e zgjedhur prej tij./abcnews.al