Ku po shkon Edi Rama?

schedule16:40 - 18 Maj, 2019

schedule 16:40 - 18 Maj, 2019

As Rama e as Basha nuk dhanë të paktën publikisht, shenja tërheqje për një krizë politike që vijon prej tre muajsh. Në terren secili kujton përgjegjësitë e tjetrit për këtë situatë, por asnjëherë të vetat. Politika në ABC News na sjell dinamikën e qëndrimeve e mosveprimeve. Ndjekim Mimoza Koçiun.

Dy protesta kombëtare të opozitës brenda tre ditësh në Tiranë, të pasuara nga një garë komunikimi me opinonin mes Ramës e Bashës, përmes të njëjtit format me gazetarë, ishin zhvillimet kryesore politike që nuk arritën të afronin palët, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare kundër dhunës e për dialog dhe momentit ku ndodhet vendi, rekomandimi për hapjen e negociatave.

Po cfarë po ndodh me krizën politike në Shqipëri?

Të shtunën e 11 majit, gjatë protestës së katërt kombëtare e opozitës, bashkë me kapsollat e shashkat, u hodhën edhe bomba molotov para derës kryesore të KM.

Basha e drejtoi protestën nga parlamenti (efekt) ku u hodhën të tjera kapsolla e mjete piroteknike, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës nga policia. Sipas policisë 16 uniforma blu u lënduan e disa protestues. Tension solli mënyra e ndalimit të njërit prej tyre, sekretarit organizativ të PD Sahit Dollapi, në transmetim të dpd tv, edhe pasi u identifikua para policisë. Akti që ngjante një mesazh direkt për Lulzim Bashën, solli reagimin këtij të fundit, që e zhvendosi protestën para policisë së Tiranës, ku sërish pati tension mes protestuesve e policisë, deri sa u mësua se Dollapi ishte dërguar për mjekim në spital për shkak të goditjeve. Shumë telefonata direkte e me ndërmjetësim mes palëve, dhe afër mesnatës, policia u tërhoq nga spitali ku mbahej Dollapi, duke e lënë të lirë.

Katër herë reagoi presidenti i republikës gjatë protestës, duke bërë thirrje kundër dhunës e për vetëpërmbajtje. Në të njëjtën linjë edhe ambasada amerikane. Më ashpër OSBE deklaronte se organizatorët e protestës duhet të mbajnë përgjegjësi politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. 30 minuta më vonë një mesazh indirekt edhe për policinë, se reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon. Delegacioni i BE reagoi të nesërmen duke e dënuar dhunën si të patolerueshme, e kërkuar vetëpërmbajtje e dialog.

Opozita kishte caktuar tashmë protestën e radhës, dy ditë pas të parës, e në mbështetje të 50 protestuesve të 11 Majit, që mbaheshin të arrestuar në policinë e Tiranës, Basha kishte një mesazh për Ramën

Në një dalje të posaçme, Ministri i Brendshëm pranoi problemin në mënyrën e shoqërimit të sekretarit organizativ të PD, por paralajmëroi edhe ndëshkim për dhunuesit e policisë

I njëjti mëngjes të diele e kishte çuar herët në zyrë KM, për disa takime për atë që e sheh si cënim të rendit kushtetues. Mes funksionarëve të thirrur, edhe prokurorja e përgjithshme e përkohshme e shefi i SHISH. Më pas atë të dielë, si Rama e Basha iu drejtuan publikut, përmes të njëjtit format, bashkëbisedim me gazetarët. Tek Km spikati vëmendja e mbështetja për policinë që përballej me protestat ndaj tij, duke mirëkuptuar mënyrën se si u ndalua sekretari organizativ i PD.

Interesante ishte ftesa për kundërshtarin politik. Mes pasojave që do kishte vendi nga një përplasje civile , zgjodhi t’i kujtojë Bashës se llogaritë do i bëjë me demokratët.

Pak orë para protestës së dytë kombëtare, brenda 3 ditësh, në 13 maj, 5 ambasada në Tiranë reaguan njëlloj e njëra pas tjetrës. Dënuan dhunën, përfshi mbishkrimin “Turp të kesh Borchard” tek banesa e ambasadorit të OSBE në Tiranë. Ambasada amerikane dhe ambasada gjermane u bënin thirrje nominale Bashës e Kryemadhit, që të dënonin publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, ndërsa u kujtonin autoriteteve ligjzbatuese përgjegjësinë për vetëpërmbajtje, edhe kur u përgjigjen provokimeve. Nxitja e të gjitha palëve për t’u përfshirë në dialog konstruktiv për t’i dhënë fund ngërçit politik ishte qëndrimi i përbashkët.

A ndikuan vallë ato qëndrime tek protesta e 13 majit? Basha kreu një marshim protestë mbi tre orësh, me një pjesëmarrje mbresuese pavarësisht shiut, me 5 ndalesa Km, Policia e shtetit, parlamenti, ministria e brendshme dhe policia e Tiranës, sipas tij institucionet e kapura nga KM. Thyerje xhamash, kapsolla e lëndë piroteknike. E vetmja bombë Molotov u hodh tek drejtoria e policisë. Nuk pati përdorim të gazit nga policia e as konfrontime të drejtpërdrejta mes policisë e protestuesve. Basha e drejtoi tek Rama vëmendjen ndërkombëtarëve që kishin dënuar dhunën e protestuesve të opzitës.

Ndërsa diplomatët në Tiranë bënin thirrje për dialog, Nga Gjermania erdhi një akt konkret. Dy deputetë të koalicionit qeverisës, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU Johan David Vadepul, dhe Kristian Shmid i CSU, raportues për Shqipërinë në komisionin e jashtëm të Bundestagut thanë se dhuna nuk mund të tolerohet aspak si mjet politik, por ata ishin të gatshëm të ndërmjetësonin një dialog pa kushte.

Të nesërmen e protestës së dytë, Rama u ul sërish me gazetarët. Pas tij, njëlloj edhe Basha. Me propozimin e deputetëve gjermanë, pritshmëritë ishin që Kryeministri të jepte një zgjidhje, por përgjigja u duk e koduar.

Basha u shfaq i interesuar për ndërmjetësim ndërkombëtar, por me kushtin e njohur, edhe pse pranon se nuk e shmang dot Ramën në dialog si kryetar të PS.

Vendoret e 30 qershorit duken ngërçi imediat ku asnjëra palë nuk lëshon. Gjithçka ndodh teksa vendi pret më 25 maj opinionin e KE për hapjen e negociatave me BE, e në një moment të dytë, që do varet edhe nga rezultatet e zgjedhjeve për PE, pritet vendimi i Këshillit Evropian. Njëlloj si një vit më pare, në radhë janë Shqipëria e Maqedoninë e Veriut. Çka spikat në deklaratat e këtyre ditëve është veçimi i Maqedonisë në përmbushjen e detyrave.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Katrugalos i ka bërë thirrje BE-së që të çojë përpara procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për vendet e Ballkanit. Në një intervistë për gazetën “Politiko”, Katrugalos është shprehur se shanset duhet t’i jepen edhe Shqipërisë e jo vetëm Maqedonisë së Veriut, vend që sipas tij i ka përmbushur të gjitha detyrimet.

Nëse Shqipëria është gati, atëherë edhe ajo duhet të jetë në bord, por për Maqedoninë e Veriut nuk ka më asnjë dyshim”, ka deklaruar Katrugalos.

Qartazi pro Shqipërisë duket ministri gjerman për integrimin, socialdemokrati Majkell Roth, që i tërheq vëmendjen opozitës për bojkotin e dhunën në protesta, e thotë për DeutcheWelle se vendit tonë i duhen hapur negociatat.

“Unë madje shkoj aq larg sa të them se ndoshta nuk ka vend që të ketë përmbushur kaq shumë detyra para çeljes së negociatave të anëtarësimit. Sigurisht ka akoma shumë për të bërë, por jam optimist, se mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur, mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

Po për Dwelle euro-komisioneri Hahn thotë se negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, thotë ai, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate. Por për Hahn shqetësim është imazhi që përcjell Shqipëria me situatën politike e protestat.

“Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë”.

Në Tiranë, palëve u erdhi një mesazh nxitës nga ambasadori i Austrisë.

Qytetarët kanë gjithmonë të drejtë për të protestuar, dhuna është diçka që ne e dënojmë absolutisht. Ka ardhur koha që partitë ti zgjasin dorën njëra tjetrës, pas pesë protestave tani është koha për dialog politik”.

Por asnjëra palë nuk duket në këtë drejtim. Opozita po përgatit protestën e 6 kombëtare, pasditen e 25 majit, por tani Basha artikulon qartë kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga ana tjetër Edi Rama vazhdon ta refuzojë e prezantoi kandidatët e vet për 61 bashki, ndërsa këshillat bashkiakë do i ndajë me disa aleatë të vegjël. Sipas kërkesave të paraqitura në KQZ, përballë do ketë 25 kandidatë të Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, tre nga të cilët janë të pavarur, por që mbështeten nga partia e tij, 2 kandidatë të Zgjidhjes së Koço Kokëdhimës, e 1 të AKZ të Kreshnik Spahiut. E pamundur që këto parti të vogla të mbulojnë territorin me kandidatë e për pasojë në 33 nga 61 bashki, socialistët do jenë alternative e vetme në fletën e votimit.

Në këtë panoramë, befasoi lëvizja e opozitës që nuk është regjistruar në zgjedhje. PD e LSI kanë vendosur të paraqesin anëtarët e tyre nëpër KZAZ. Kodi zgjedhor në nenin 29 të tij ua njeh formalisht këtë të drejtë, deri në 30 ditë para datës së zgjedhjeve, duke zëvendësuar kështu anëtarët e përzgjedhur nga KQZ po sipas ligjit, pas mosparaqitjes së anëtarëve të PD LSI në thirrjen e parë. (Kodi, neni 29, pika 5.2) PD e argumenton këtë akt të pazakontë me pretendimet se po përgatitet manipulimi i zgjedhjeve.

Vetë Km e sheh lëvizjen si paqartësi e opozitës.

Ish nënkryetari i PD, Astrit Patozi, sot në krye të partisë më të re BD, e sheh si lëvizje kundër partisë së tij, por lëvizja e PD LSI duket përtej shqetësimit të Patozit. Me paralajmërimet se nuk do lejojë zgjedhje në 30 qershor, një lëvizje taktike e tërheqjes ditën e votimit të komisionerëve të saj, praktikisht gjysma e trupës menaxhuese të zgjedhjeve, siç kanë bërë socialistët 26 majin e 96, do vinte në vështirësi procesin zgjedhor. Arsyeja e kësaj lëvizje mbetet ende për t’u parë, por cka bie në sy është këmbëngulja e KM për të mos bërë asnjë hap për zgjidhjen e këtij ngërçi politik.

Po çfarë do ndodhë me 30 qershor sipas Kryeministrit?

Ç’ka gjithaq spikat është mungesa e një lëvizje nga presidenti për të ulur palët. E thënë nga KM, nuk u mohua nga kreu i shtetit, që foli për përgjegjësi të secilit.

A ka një përpjekje të errët, për t’u çuar gjërat deri në ekstrem, duke luajtur në fund lojën e përgjegjësive?

Mbresuese mbetet llogaria që bën Kryeministri. E sheh si një betejë politike, nga e cila kosto do ketë vetëm Lulzim Basha brenda partisë së tij.

Duhet pranuar se historia i ngjan një déjà vu-je të dy viteve më parë: e njëjta gjuhë e të njëjtat qëndrime ekstreme, që u finalizuan me një marrëveshje kokë më kokë mes Ramës e Bashës gjatë natës së 17 Majit, e cila nuk u qartësua kurrë plotësisht.

E kanë treguar se zgjidhjen e kanë gjetur në vetëm katër orë kokë më kokë dy vite më parë. Për momentin, mes paralajmërimeve për konflikt civil e refuzimit për kompromis, palët paralajmërojnë të luajnë ruletën ruse, me fishek të fundit, 30 qershorin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!