“Ku i keni maskat?” Pas punës si shitëse Rudina Hajdari mëson zanatin e radhës

schedule18:33 - 16 Shkurt, 2021

schedule 18:33 - 16 Shkurt, 2021

Kandidatja për deputete në Elbasan e nismës “Thurje”, Rudina Hajdari ditën e sotme është ndalur në Gramsh ku edhe është takuar me qytetarët për tu njohur nga afër me problematikat që përballen çdo ditë.

Por ndryshe nga fushatat apo takimet që jemi mësuar të shohim, Hajdari ka zgjedhur të bëhet pjesë e punës në një baxho në këtë qytet me disa zonja duke i ndihmuar në përgatitjet e djathit kaçkavall.

Lexo edhe: Hajdari shitëse në Përrenjas: Puna e ndershme, virtyti që duhet ta rikthejmë në piedestal

Por nuk kanë munguar kritikat, pasi nga video e publikuar në rrjetin social “Facebook” nga vetë Hajdari, dëgjohet edhe kërkesa për vendosjen e maskës, pasi siç shihet nuk janë pajisur me maska, kjo në sajë edhe masave të vendosura për Covid-19.

“Sot në Gramsh pata kënaqësinë të ndihmoja zonjat e nderuara për përgatitjen e djathit kaçkavall në një nga baxhot më cilësore që ka Shqipëria. Nuk do lodhem së përsërituri se këto janë modelet që duhet të promovojmë e ndihmojmë të lulëzojnë. Biznese të ndershme, të cilat ndihmojnë zonën duke mbledhur qumështin e i shërbejnë qytetarëve produktin më të mirë. Shteti duhet të jetë shërbëtor i tyre e jo i krimit të organizuar. E ardhmja i takon njerëzve të ndershëm e punëtorë”, shprehet Hajdari.

Kujtojmë se më herët Hajdari ka shërbyer si shitëse në tregun e Përrenjasit, duke theksuar se puna e ndershme duhet të rikthehet në piedestal.

/abcnews.al/