Nga Esiona Konomi
Dy muaj përpara zgjedhjeve, socialistët kërkojnë të korrigjojnë reformën në drejtësi.
4 deputetë të mazhorancës depozituan në Kuvend kërkesën për ndryshimin e 8 ligjeve bazë.
Ulsi Manja, Alket Hyseni, Adnor Shameti dhe Klotilda Ferhati, kanë propozuar ndryshime, që siç thanë ata, i kanë konsultuar me partnerët ndërkombëtarë, dhe parashikojnë t’i votojnë në Kuvend në 15 mars, me nga 84 vota.
Ndryshimet synojnë të sjellin përshpejtim në shqyrtimin e çështjeve në gjykata dhe të lehtësojnë punën e disa institucioneve.
Kështu, mbas mbingarkesës së hasur, SPAK, nuk do të merret më me çdo lloj korrupsioni zyrtarësh, por do të vihet në lëvizje vetëm kur ryshfeti është më i lartë se 500 mijë lekë të vjetër. Për vlera më të ulëta do të merren prokuroritë e rretheve.
Ndërsa në Gjykatën e Lartë, nuk do të jetë e domosdoshme që të gjitha çështjet të shqyrtohen nga trupa prej 3 gjyqtarësh.
Në kushtet kur Vettingu e zbrazi këtë gjykatë, disa prej çështjeve, do të gjykohen edhe nga një gjyqtar i vetëm.
Në këtë kategori bëjnë pjesë, ekstradimet, kërkesat për rivendosjen në afat, kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake si dhe kërkesa e prokurorit për pushimin e akuzës.
Në nismat e deputetëve socialistë, parashikohen edhe ndryshime në formulën e përzgjedhjes së Gjyqtarëve Kushtetues.
/abcnews.al/