Kthjellime, vranësira dhe temperatura deri në 29 gradë Celsius, parashikimi i motit për ditën e sotme

schedule08:29 - 31 Maj, 2024

schedule 08:29 - 31 Maj, 2024

Shqipëri – Sipas MeteoAlb në vendin tonë parashikohet rritje e vlerave barike duke sjellë përmirësim të theksuar të kushteve atmosferike në të gjithë Shqipërinë.

Për pasojë; orët e paradites do të mbizotërohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta e kalimtare ndërsa pasditja do të shpeshtojë vranësirat në zonat veriore dhe qendrore duke lënë nën ndikimin e motit të kthjellët zonat jugore të vendit. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës. temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në orët e mëngjesit edhe në të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 9°C vlera më e ulët deri në 29 gradë Celsius vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe fortë në det me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi permanent Jugor; për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 4 ballë.

Kosova – Gjatë paradites Kosova do të paraqitet nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat Veriore dhe Veriperëndimore. Pjesa e dytë e ditës; do të vijojë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta në të gjithë territorin e Kosovës. Gjatë natës; pritet largim gradual i vranësirave nga i gjithe territori i Kosovës. Temperaturat e ajrit do të rriten në orët e mëngjesit DHE të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 6°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Podujevës deri në 24°C vlera maksimale e cila do të regjistrohet përkatësisht në Gjakovë. Për sa i përket parametrit të Erës do të fryjë e lehtë paradite POR e fortë gjatë pasdites me shpejtësi deri në 50 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor – Jugperëndimor.

Maqedonia e Veriut – Territori i Maqedonisë së Veriut do të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe temperatura relativisht të larta gjatë orëve të paradites, por pjesa e dytë e ditës do të sjellë kalim të vranësirave të lehta nëpër të gjithë MV, më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat Jugore dhe Jugperëndimore. Kjo situatë e qëndrueshme atmosferike do të na shoqërojë edhe gjatë natës në të gjithë Republikën e Maqedoninë e Veriut.

Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në orët e mëngjesit duke bërë që vlera minimale të regjistrohet 6°C në qytetin e Tetovës por mesdita sjell rritje të tyre duke regjistruar vlerën maksimale deri në 25°C në qytetin e Shkupit dhe Manastirit.

Ndërkohë; Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë 45 km/h nga drejtimi Jugperëndimor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!