Masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa me origjinë oqeanike vijojnë ndikimin e tyre duke kushtëzuar në vendin tonë mot të kthjellët dhe vranësira të shpeshta gjatë paradites, por orët e pasdites do të sjellin zhvillim të vranësirave konvektive duke gjeneruar shira, ku herë pas here do të jenë rrebeshe, kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore.
Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës shirat të jenë prezent në zonat Lindore – Juglindore. Ndërkohë temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 7°C deri në 28°C vlera maksimale në rang territori.
Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht Verior dhe Verilindor duke krijuar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim mbi 2 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës do të paraqitet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike gjatë paradites, duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e lehta të jenë dominante. Parashikohet që pas mesditës dhe në vijim vranësirat të bëhen më të dukshme në pjesën më të madhe të Kosovës, ku në zonat kufitare me Shqipërinë priten rrebeshe të izoluara shiu dhe breshër në disa zona. Kjo situatë atmosferike do të vijojë deri në orët e vona të natës kur pritet përmirësim i kushteve të motit. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në vlerat minimale, por do të ulen ndjeshëm maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 7 gradë C vlera më e ulët deri në 22 gradë C vlera maksimale në rang territorit. Era do të paraqitet e lehtë dhe mesatare me shpejtësi deri në 55 km/h nga drejtimi kryesisht Verilindor.
Maqedonia e Veriut
Moti i qëndrueshëm do të mbizotërojë në të gjithë republikën e MV gjatë orëve të paradites duke sjellë kthjellime dhe vranësira, ku më të theksuara do të jenë në zonat Jugore dhe Juglindore. Parashikohet që pasditja dhe në vijim të dominohen nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash duke rrezikuar në zonat kufitare me Shqipërinë shira të dobët dhe lokalë. Ndërkohë temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në vlerat minimale dhe ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 7°C minimalja deri në 23°C vlera maksimale e cila do të regjistrohet në qytetin e Shkupit. Era do të fryjë e lehtë dhe herë pas here mesatare, duke arritur shpejtësinë maksimale 50 km/h nga drejtimi permanent Verior – Verilindor./abcnews.al
Europa
Kalimi i një sistemi frontal nga gadishulli Apenin deri në Juglindje të Europës do të sjellë në keto rajone rrebeshe shiu si edhe mini-stuhi ere. Nuk përjashtohet edhe mundësia e breshërit në zona të izoluara. Po ashtu, vendet e Europës Lindore do të paraqiten me vranësira dhe shira intensivë duke sjellë mjaft probleme ndërsa moti i kthjellët dhe temperaturat relativisht të larta do të mbizotërojnë në gadishullin Iberik, gadishullin Skandinav si edhe pjesërisht në gadishullin e Ballkanit.