“Kthimi” i Ernest Koliqit në shtëpi/ Studiuesi Ndreca riatdheson bibliotekën e tij në Shkodër: Nismëtar i modernizimit të prozës shqiptare

schedule10:37 - 27 Shtator, 2024

schedule 10:37 - 27 Shtator, 2024

Studiuesi Ardian Ndreca ka pasuruar bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër me 1300 tituj të rinj nga Ernest Koliqi. Ai është shprehur i lumtur që riatdhesoi bibliotekën e tij dhe koleksioni i librave të rrallë është në shërbim të studiuesve.

“Kam kaluar një sfidë të madhe, sepse librat rrezikonin që të humbisnin të gjithë. Sepse gjendeshin në një banesë e cila ishte shitur, personat nuk kishin interes për ato libra. Ishte një sulm kundër kohës, që t’i merrja ato libra. Ishin shumë larg nga aty ku banoj unë në Romë. Duhet të gjenim mjetet, punëtorët dhe në një kohë shumë të shkurtër. Ishte një sfidë, që përpara se të arrija t’i merrja nuk mundur të fle sepse kisha hall se mos humbnin. Madje, nuk e kam thënë asnjëherë, por kur shkova për t’i marrë e dija se aty kishte dhe një magazinë me Shejzat e botuara nga Koliqi dhe pyeta atë që shiste shtëpinë se ku kanë përfunduar dhe ai më tha që para një jave t’i kemi çuar te landfilli komunal. Ishte një ditë e ftohtë janari, binte shi, mora punëtorët që ishin me mua, shkova te landfilli komunal dhe aty u futa pa marrë leje, ishte një hapësirë ku vihej karta dhe hyra pa asnjë mjet sigurie. Rojet ishin shumë të nevrikosur dhe fatkeqësisht i kishin asgjësuar dhe nuk i gjeta”, u shpreh Ndreca për “Pas Mesnate”.

Më tej, ai foli më konkretisht për Ernest Koliqin si shkrimtar, jetën e tij dhe kontributin që ka dhënë për letërsinë vendase.

“Koliqi besoj se është një ndër shkrimtarët më modern të letërsisë shqipe të shekullit të 20 dhe ka disa arsye specifike që e kanë lidhje me artin e tij, që e bëjnë të lirë në këtë lloj piedestali. Koliqi është shkrimtari i qytetit, që shkruan për qytetin dhe zbulon sfidat që lindin në qytetin shqiptar të Shkodrës të viteve ’30. Është dëshmitar i një bote që po perëndon në mënyrë të pakthyeshme. Megjithatë, jo gjithçka që i përket kësaj bote, është për t’u hedhur, për t’u harruar. Pra, merr me vete nëpërmjet artit të tij disa impulse që nuk janë thjesht sentimentale, por rigjenerojnë fantazinë e shkrimtarit dhe ia përshtat krijimtarisë së tij. Është një shkrimtar që hap një shteg të ri, shkruan në mënyrë të ndryshme në krahasim me të tjerët, trajton tema të ndryshme.

Koliqi ka një ngrohtësi të vetën. Një prej dënimeve më të forta që diktatura mund të bënte asaj kohe. Ta dëbosh dikë nga vendi i tij është një dënim shumë i fortë. Diktatura të tjera analoge në Europën e asaj kohe, mjaftoheshin thjesht duke i dëbuar shkrimtarët apo kompozitorët. Koliqi e ka vuajtur këtë gjë, por ka ruajtur një dashuri të fortë mes njerëzve”, përfundoi studiuesi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!