TIRANË- Pasi mësoi rikthimin e amerikanëve në SPAK, Berisha nxori nga sirtari planin e fundit dhe të vetëm të tij, reformimin e institucionit sipas dëshirës së vet.
Lëvizjet e njëpasnjëshme nga administrata e re e Trump, kanë mbyllur përfundimisht shpresat e doktorit se situata për të mund të ndryshonte, si në Washington edhe në Tiranë.
Tani, ai thotë se do kërkojë ndihmën e Komisionit te Venecias, por ne fakt ato që i duhen janë votat e kundërshtarit të tij, Edi Ramës.
“Çfarë reforme? Reformë që u mohon shqiptarëve të drejtën e procesit ligjor. Po dënohen zyrtarë, për zyrtarë mbani një statistikë ju lutem, Kina komuniste dënon më shumë se çdo vend tjetër, por dënon edhe politikisht, ndaj edhe quhet diktaturë komuniste. E sjell këtë shembull sepse shqiptarët kanë nevojë urgjente për një rireformim të këtij sistemi me Komisionin e Venecias”, tha ai.
Berisha sulmoi SPAK dhe ndonëse nuk mohon rikthimin e zyrtarëve amerikanë, ai beson se Donald Tramp nuk e mbështet prokurorinë, që po heton adhuruesin e tij në Tiranë.
“Unë nuk besoj kurrë se Trump që po atakon me forcën më të madhe pikërisht shndërrimin e drejtësisë në armë politike, mbështet një gjë të tillë. S’mund të jetë kjo një lloj përkrahje për prokurorinë politike.”
Por, problem kryesor që ka Berisha është ligji. Dhe ai si gjithmonë nuk ngurron ta sfidojë atë. Qoftë kur është vendim gjykate, qoftë kur është vendim qeverie, si ai për mbylljen e Tik Tok.
“Kjo imja është në rregull, kam shkarkuar atë, VPN. Fto të rinjtë ta shkarkojnë sa më shumë.”/abcnews.al