KSHH: Pikat kufitare të jugut nuk kanë kapacitete për të pritur emigrantët e paligjshëm

schedule15:54 - 28 Korrik, 2018

schedule 15:54 - 28 Korrik, 2018

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kryer një monitorim në pikat kufitare të jugut për klandestinët që hyjnë në vendin tonë dhe kushtet që u ofrohen. Drejtoresha ekzekutive, Eria Skendaj, thotë se nga konkluzionet paraprake rezulton se në pikat kufitare nuk ka infrastrukturë për të pritur emigrantët e paligjshëm dhe në disa raste janë konstatuar edhe shkelje të të drejtave të tyre. 

Pas një monitorimi në pikat kufitare në jug të vendit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit rezulton se ka një rritje të numrit të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në vendin tonë.

Sipas drejtoreshës Eria Skendaj, pikat kufitare kanë mungesa në logjistikë dhe nuk kanë kapacitetet e duhura për të ushtruar kontrolle në të gjithë kufirin e gjelbër.

“Ku do të akomodohen këta persona për sa kohë institucionet e azilkërkuesve janë me kapacitet tepër të limituar. Kanë mungesa në personel për të bërë një kontroll efektiv në të gjithë kufirin e gjelbër”, tha Skendaj.

Në dogana janë konstatuar shkelje në respektimin e të drejtave të emigrantëve të paligjshëm dhe shtetasve shqiptarë e të huaj që hyjnë ose dalin nga vendi ynë.

“Ai mund të jetë i sëmurë me sëmundje infektive, ose për shkak se vjen nga vendet e luftës duhet të ketë një kujdes të menjëhershëm mjekësor. Për t’u kontrolluar nga një mjek dhe për të parë qoftë edhe sigurinë e personit, por edhe të personelit që e interviston atë. Pritej ardhja e mjekëve nga spitalet rajonale në raste se kishte probleme urgjence. Pra për pjesën tjetër që nuk i paraqiste këto probleme vazhdohej përpra pa një kontroll paraprak të mjekut, gjë që është një shkelje ligjore”, tha Skendaj.

Megjithëse flitet për një fluks të klandestinëve drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit pohon se policitë kufitare nuk kanë dhënë informacion për shifren e saktë të emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në vendin tonë dhe kanë si destinacion përfundimtar vendet e BE-së./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!