Struktura e bashkisë së Vlorës dhe numri i punonjësve të saj pritet të ndryshojë. Kryetarja e re e bashkisë së Vlorës, dalë nga zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit, ka propozuar projektvendimin i cili pritet të miratohet nga këshilli bashkiak i Vlorës në ditët në vijim.
Brunilda Mersini në projektvendimin që mban firmës e saj ka propozuar ndryshime që lidhen me numrin e punonjësve dhe nivelit të pagave të bashkisë si edhe ndryshime në disa prej institucioneve në varësi të pushtetit vendor.
Me argumentin se kërkohet nevoja e plotësimit të shërbimeve dhe rritje të eficences, Mersini kërkoi miratimin për shtimin e punonjësve në disa ndërmarrje të varësisë së bashkisë.
Të tjera pika të cilat janë propozuar në këtë projektvendim janë edhe njohja e shtesës në pagë për vështirësi pune për punonjësit e policisë bashkiake si edhe punonjësit mbështetës të specialiteteve të veçanta.
Shërbimi I funksionit të ndërmarrjes së gjelbërimit do të transferohet në ndërmarrjen e pastrimit dhe do shërbejë si institucion më vete. Po kështu sektori I ndriçimit do kalojë në varësi të ndërmarrjes së shërbimeve publike.
Një vit më parë, në mbledhjen e këshillit bashkiak struktura e bashkisë u bë me tre drejtori, Ndërmarrja e gjelbërimit, e pastrimit dhe ndërmarrja e shërbimit publik.
Shkrirja e ndërmarrjes së pastrimit dhe gjelbërimit në një institucion të vetëm sipas projektvendimit, kërkohet për shkak të keqmenaxhimit.
Në këtë projektvendim është kërkuar gjithashtu që godina e shkollës “Shaban Demiraj” të vihet në shërbim të institucioneve të shërbimeve publike dhe drejtorisë së tatim taksave të bashkisë së Vlorës.

