Koronavirusi mbyllin DSHP-në e Durrësit, Zija Alhysa: Situata është kaotike

schedule11:45 - 30 Qershor, 2020

schedule 11:45 - 30 Qershor, 2020

Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës ka pezulluar punën për shkak se disa punonjës kanë rezultuar pozitiv për koronavirus.

Zija Alhysa, kryetar i Konfederatës së Sindikatave në Durrës foli për ABC News ku deklaroi se situata në këtë institucion është e paqartë që pas infektimit të punonjësve të saj.

Sipas Alhysës, 4-5 persona rezultojnë pozitiv për Covid-19 punonjës të institucionit.

Situata është kaotike dhe Alhysa thotë se në këto kushte nuk mund të vazhdojë puna, pasi edhe ai vetë nuk e ka kryer ende tamponin.

Po ashtu kreu i konfederatës thotë se ditën  sotme janë paraqitur pranë institucionin për analiza edhe disa nga personeli i shtëpisë së fëmijës në Durrës, të cilëve u janë marrë tamponët për të parë nëse janë të infektuar.

“U bë dita e dytë që vijnë raste me infeksion, të cilët janë pozitiv. Kemi personel të infektuar prej 4 apo 5 vetësh. Kështu që është parë e arsyeshme se ne duhet të shkojmë në shtëpi derisa të marrim një urdhër nga Ministria e Shëndetësisë.

Sot ka ardhur personel i shtëpisë së fëmijës në Durrës dhe u morën tamponët. Ne kemi frikë për veten dhe se mund të infektojmë edhe të tjerët. Nuk mund të vazhdojmë punën në këto kushte, unë ende nuk e kam bërë tamponin. Tani po qëndrojmë në shtëpi, dhe jemi pezull, edhe shoferin e kemi pozitiv. 

Me kaq personel sa jemi nuk e mbulojmë dot të gjithë punën në të gjithë zonën. Udhëzimi është që kush del me covid-19 duhet të hyjë në karantinë. Ata që janë asimptomatikë nuk e di si do të procedohet”, tha Alhysa.

Qyteti i Durrësit është një nga qytetet me raste të shumta pozitive për Covid-19 duke u renditur pas Tiranës.

Gjatë ditës së sotme në këtë qytet u raportuan 10 raste pozitive./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!