Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë finalizuar një operacion për ndërtim të paligjshëm në zonat bregdetare të Jalës dhe Dhërmiut, duke arrestuar tre shtetas dhe shpallur një tjetër në kërkim. Të arrestuarit janë nje 41 vjeçar, 40 vjeçar dhe nje 52 vjeçar, ky i fundit me funksione inxhinier zbatimi dhe drejtues projekti.
Këta shtetas dyshohet se kanë lejuar dhe kryer punime ndërtimi në këto zona turistike pa u pajisur me dokumentacionin përkatës, në shkelje të ligjit dhe për qëllime fitimi. Për të njëjtën vepër penale, “Ndërtim i paligjshëm”, është shpallur në kërkim edhe shtetasi L. Gj., banues në fshatin Vuno.
Në kuadër të hetimeve janë proceduar penalisht edhe katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Himarë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Bëhet fjalë për nje 44 vjeçar, me detyrë drejtor i IMT-së, si dhe për 3 inspektorët të cilët dyshohet se kanë neglizhuar detyrat ligjore në lidhje me kontrollin dhe ndalimin e ndërtimeve të paligjshme në territorin që mbulojnë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë arrestuan, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, kryer për qëllime fitimi, shtetasit L. D., 41 vjeç, K. C., 40 vjeç dhe I. Zh., 52 vjeç, me funksione inxhinier zbatimi dhe drejtues projekti, pasi dyshohet se kanë lejuar punime ndërtimi nga puntorët e tyre, në zonën e Jalës dhe Dhërmiut, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës. Për të njëjtën vepër penale u shpall në kërkim edhe shtetasi L. Gj., banues në fshatin Vuno. Gjithashtu, u proceduan penalisht 4 punonjës të IMT-së të Bashkisë Himarë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht E. V., 44 vjeç, drejtor i IMT-së, dhe M. K., 30 vjeç, A. J., 27 vjeç, R. K., 30 vjeç, të tre me detyrë inspektorë.”, njofton policia.
/ abcnews.al