Kryeministri Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit, në shenjë vlerësimi për shembullin që shqiptarët i dhanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre tek nazistët gjatë luftës së dytë botërore.
Në fjalën e tij, në krah të presidentit të Izraelit, kreu i qeverisë tha se Shqipëria u kthye në strehë të sigurtë dhe se Izraeli jo vetëm asokohe por edhe tani e ka derën e hapur në vendin tonë.
Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrej sesa në fillim të saj.
Rama u ndal edhe tek lufta në Gaza. Kreu i qeverisë tha se mbështet zgjidhjen me dy shtete por sipas tij, kjo nuk mund të vijë me Hamasin.
Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis.
Ndërsa presidenti izraelit, Isaac Herzog, e cilësoi popullin shqiptar simbol të nderit dhe kurajos me mbështetjen që treguan ndaj hebrenjve.
Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit.Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje.
Po ashtu, si Rama ashtu edhe Herzog vlerësuan bashkëpunimin dhe partneritetin në fusha të ndryshme përfshirë mjekësinë dhe fluturimin e drejtpërdrejtë mes Tiranës dhe Tel Avivit.