Kryeministri i ri i përkohshëm sirian, Mohamed al-Bashir, i cili do të jetë në detyrë deri në mars, u bëri thirrje refugjatëve sirianë në mbarë botën që të kthehen në atdheun e tyre pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Assad.
“U bëj thirrje të gjithë sirianëve jashtë vendit: Siria është tani një vend i lirë që ka rifituar krenarinë dhe dinjitetin e saj. Kthehuni!”, tha Bashir në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, e cila u publikua të mërkurën.
Pas përfundimit të sundimit prej dekadash të familjes Assad, siguria dhe stabiliteti duhet të rivendosen në të gjitha qytetet siriane në mënyrë që njerëzit të mund t’i kthehen jetës normale, tha Bashir.
Kryeministri i përkohshëm deklaroi se një nga qëllimet e tij më të rëndësishme do të ishte të ndihmonte vendin e shkatërruar nga lufta dhe se refugjatët sirianë mund të luajnë një rol të rëndësishëm pas kthimit të tyre me përvojën e tyre të fituar jashtë vendit./abcnews.al