Kryeministri i Pakistanit dënon ashpër sulmet izraelite ndaj Iranit: Akt i tmerrshëm dhe i papërgjegjshëm

schedule10:41 - 13 Qershor, 2025

schedule 10:41 - 13 Qershor, 2025

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka reaguar me tone të ashpra pas sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si një akt “i rëndë dhe tmerrësisht i papërgjegjshëm” që, sipas tij, rrezikon të thellojë më tej destabilizimin në një rajon tashmë të dhunshëm.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Sharif shprehu solidaritetin e tij me popullin iranian dhe dënoi humbjet e jetëve që pasuan goditjen izraelite.

“I shpreh ngushëllimet e mia më të thella popullit iranian për humbjet e jetëve nga ky sulm”, shkroi ai.

Kryeministri pakistanez u bëri thirrje gjithashtu aktorëve ndërkombëtarë të veprojnë me përgjegjësi, duke theksuar nevojën urgjente për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm që mund të kërcënojë paqen rajonale dhe botërore.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, njoftoi se është ngritur një njësi emergjence dhe menaxhimi krize, e cila qëndron në gatishmëri për të ofruar ndihmë për qytetarët pakistanezë që ndodhen aktualisht në Iran.

Vlen të theksohet se Pakistani nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!