Kryeministri i Indisë takohet me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit rus

schedule22:07 - 29 Mars, 2023

schedule 22:07 - 29 Mars, 2023

Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse Nikolai Patrushev u takua sot me kryeministrin e Indisë Narendra Modi në Nju Delhi për të diskutuar “interesat reciproke” të dy vendeve, siç raporton Reuters duke cituar mediat ruse.

Patrushev udhëtoi në Nju Delhi për takimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, anëtarë të së cilës janë Rusia, India, Kina dhe vendet e Azisë Qendrore.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Rusia ka rritur përpjekjet diplomatike për të forcuar ndikimin e blloqeve dhe forumeve gjeopolitike aziatike si një kundërpeshë ndaj përpjekjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO për të dominuar rajonin.

Megjithëse India ka bërë thirrje për paqe në Ukrainë, ajo ka përfituar nga ndikimi i luftës në çmimet globale të energjisë, duke blerë naftë që Rusia është detyruar ta shesë më lirë për shkak të sanksioneve perëndimore. Nënkryetari i qeverisë ruse, Alexander Novak, tha dje të martën se eksportet ruse të naftës në Indi u rritën me 2200% vitin e kaluar.

Më herët sot, për më tepër, gjigandi i naftës Rosneft njoftoi se kishte nënshkruar një kontratë me një kompani indiane për të “rritur ndjeshëm” dërgesat e naftës ruse në Indi.

Patrushev dhe Modi diskutuan “çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe interesit të ndërsjellë”, sipas një deklarate të lëshuar nga Këshilli rus i Sigurimit pas takimit. /abcnews.al