Kryeministri feston çlirimin me forcat e armatosura

schedule19:57 - 29 Nëntor, 2017

schedule 19:57 - 29 Nëntor, 2017

Mes ushtarakëve të Forcave të Armatosura në 73 vjetorin e çlirimit të vendit, kryeministri Edi Rama ka nderuar veteranët, sakrifica e të cilëve sipas tij duhet të frymëzojë të rinjtë për sfidat aktuale. Ndërsa ministrja Xhaçka ka vlerësuar punën e usharakëve shqiptarë si pjesë e NATO-s.

Në 73 vjetorin e çlirimit të vendit, në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u vlerësua me një ceremoni të posaçme puna e forcave të armatosura shqiptare, prej 8 vitesh anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Para personaliteteve vendase e të trupit diplomatik, kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e veteranëve dhe nevojën që të rinjtë të njohin historinë e luftës nacionalçlirimtare për të kuptuar më mirë sfidat e sotme, sidomos terrorizmin.

“Të gjithë ne, rinia jonë posaçërisht, kanë për ditë shumë për të mësuar dhe për të përfituar, nga shembulli i asaj përpjekjeje pa u ngatërruar me çfarë erdhi më pas, si një thjeshtim ideologjik rrafshues për shumë ëndërra, për shumë shpresa dhe për shumë jetë dhe pa u ngatërruar gjithashtu, me gjithçka vjen sot jo si një thjeshtim totalitarizues sepse për fat të mirë ideologjitë që u përplasën ë atë luftë kanë vdekur, por si thjeshtim radikalizues në një botë gjithmonë e më komplekse, ku veçanërisht të rinjtë janë sa burimi i shpresës dhe garancia e të ardhmes, aq edhe viktimat potenciale të tundimeve radikalizue që shfaqen sot në forma agresive e që marrin deri edhe formën çnjerëzoretë terrorizmit”.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes tha se dita e çlirimit, përveç nderimit për heronjtë e luftës, na bën krenarë për profesionalizmin e forcave të armatosura, si në misionet jashtë vendit përkrah NATO-s, ashtu edhe brenda vendit në rastet e emergjencave, duke i ardhur në ndihmë qytetarëve në vështirësi. 73 vjetori ishte rasti për të vlerësuar 4 prej tyre.

“Janë pikërisht këta djem dhe vajza, ushtarakët tanë, heronjtë modernë të ditëve tona, për të cilët kjo datë e shënuar duhet të na bëjë të reflektojmë më së shumti. Kam vendosur të nderoj me medaljen e mirënjohjes njerëz me uniformë, por pa grada dhe pa ofiqe. Do të nderoj ato që shkojnë të parët në vatrat e zjarrit apo shtëpitë e përmbytura në ujërat e shirave të rrëmbyeshëm, janë profesionistët e thjeshtë, heronjtë pa emër që gjenden të parët aty ku një jetë njerëzore është në rrezik, ku duhe ngritur një urë apo kur refugjatët në ujërat ndërkombëtare kanë nevojë për ndihmë. Këta ushatarakë nuk kanë luftuar armikun klasik, por kanë vënë veten në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzore, qofshin ata fëmijë shqiptarë apo fëmijë të refugjatëve të luftrave të Lindjes së Mesme duke u shndërruar në heronjtë e ditëve të sotme që na bëjnë krenarë për shërbimin që i japin vendit dhe çdo qytetari shqiptar”.

Medaljet iu dorëzuan rreshterit të Forcës Ajrore Sajmir Bakli, që shpëtoi gjatë përmbytjeve të vitit të kaluar një foshnje dhe ushtarit Fatjon Lulja e rreshteri Ervin Todo, pjesë e ekipeve të emergjencës. Një medalje mirënjohje u dha edhe për infermieren Esmeralda Murati, pjesë e ekuipazhit të anijes Oriku, e sapokthyer në atdhe nga misioni i shpëtimit të jetëve njerëzore në ujrat ndërkombëtare./abcnews.al

 

https://youtu.be/3QGa7-902w0

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!