TIRANË- Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim”, deklaroi se mbledhja maratonë e qeverisë dhe ajo e grupit parlamentar kishin si qëllim përcaktimin e prioriteteve të vitit politik 2026.
Ai theksoi se fokusi i qeverisë ishte vijimësia e programit dhe kalendari i zbatimit sipas sektorëve, ndërsa grupi parlamentar u përqendrua në rritjen e kapaciteteve për negociatat me Bashkimin Evropian.
Rama nënvizoi nevojën për më shumë koordinim, organizim dhe përqendrim, duke e cilësuar procesin e integrimit në BE si historik dhe gjithnjë e më të vështirë për shkak të volumit të madh legjislativ.
Megjithatë, ai shprehu besim se shumica qeverisëse dhe grupi parlamentar do ta përballojnë me sukses këtë sfidë.
“Në shënimet e këtyre ditëve, në krye qëndrojnë mbledhja maratonë e qeverisë, një traditë e fillimit të vitit, dhe një mbledhje maratonë e grupit parlamentar. Të dyja këto takime kanë synuar vendosjen e piketave të vitit politik 2026 dhe, ndërkohë që për sa i takon mbledhjes së qeverisë puna ka qenë një punë e fokusuar te vazhdimësia, te programi dhe kalendari i zbatimit të tij sipas sektorëve, në takimin e grupit parlamentar jemi fokusuar te domosdoshmëria për të rritur kapacitetin në funksion të negociatave. Që do të thotë më shumë koordinim, më shumë ndërveprim, më shumë organizim dhe, mbi të gjitha, më shumë përqendrim te ky objektiv historik dhe strategjik për Shqipërinë.
Është e qartë dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë shumicën qeverisëse, për cilindo dhe cilëndo që është në pararojën e Partisë Socialiste, duke qenë në nivelin më të lartë të përfaqësimit, se ky proces është një proces që do të vijë duke u vështirësuar, jo më vit pas viti, por muaj pas muaji, pasi kemi të bëjmë me një volum legjislativ që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës të Republikës së Shqipërisë, nga konsultimi publik te qeveria dhe pastaj te parlamenti.
Por unë jam besimplotë dhe jam i bindur që grupi ynë parlamentar do të jetë në lartësinë e kësaj sfide, ndërkohë që kemi folur edhe për aspekte të tjera, duke dëgjuar raportimet e të gjithë komisioneve dhe njëkohësisht duke u përqendruar te disa pika kyçe.
Këto pika kyçe kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për të rritur kapacitetin edhe në funksion të informimit të publikut, për të rritur komunikimin me, në radhë të parë, anëtarësinë dhe mbështetësit e Partisë Socialiste dhe për të rritur intensitetin e betejës me frontin e gjerë të dezinformimit që shtrihet në të gjitha 700 tenxheret politike e mediatike, të cilat bubullojnë e gërgërojnë përditë, ditë e natë, por do ta kenë të pamundur të na ndalin në këtë rrugë pa kthim drejt Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”, tha Rama/abcnews.al


