“Çelësi i Qytetit” për këngëtaren Emeli Sande. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ia dorëzoi britanikes në një pritje të organizuar në bashki ku i tha se është kthyer në frymezim për shumë të rinj e të reja.
“Ju e dini se dikur prindërit tanë mbanin kopje çelësash në shtëpi, sepse prona private nuk lejohej dhe e vetmja gjë që njerëzit quanin pronë ishte shtëpia e tyre. Prandaj, duke bërë një kopje çelësash dhe duke ua dhënë ato miqve, ishte njësoj sikur prindërit thoshin: “Po japim gjithçka kemi”. Ndaj për ne, dhënia e çelësave të shtëpisë, është një moment shumë i rëndësishëm. Në emër të qyteti të Tiranës, unë ju jap “Çelësin e Qytetit”, si një kujtesë për t’u rikthyer sërish dhe gjithmonë do të gjeni një derë të hapur. E vlerësojmë shumë vizitën tuaj, e duam muzikën tuaj dhe mendoj që jeni një frymëzim për shumë të rinj të cilët thonë: Ajo ia doli, edhe unë mund t’ia dal”- tha Veliaj
“Është një nder i madh të jem këtu si një performuese në një event të tillë. Vetëm në kaq pak kohë pashë që ishte shumë bukur dhe u ndjeva e mirëseardhur nga mikpritja”- u shpreh Sande.
Këngëtarja britanike Emeli Sande ishte e ftuara e Bashkisë së Tiranës me rastin e “Natës së Bardhë”. Mbrëmjen e 29 nëntorit ajo këndoi hitet e saj më të mira për qytetarët që kishin dalë për ta ndjekur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Filmimet u shpërndanë për mediat nga zyra e shtypit e bashkisë./abcnews.al