Erion Veliaj kerkon lirine ne apelin e posacem. Ermir Beta avokati i kryebashkiakut të Tiranës ka dorëzuar ankimim duke kundërshtuar vendimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Në seancën e 12 shkurtit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën “arrest me burg” për Erion Veliaj dhe “detyrim paraqitje” për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa Ajola Xoxa u njoh me masën e sigurisë arrest në shtëpi, masë e cila u zbut në detyrim paraqitje.
Gjatë seancës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka kundërshtuar gjetjet e prokurorit Dado në ngarkim të tij, ndërsa ka akuzuar këtë të fundit se është në konflikt interesi me të.
Veliaj mbahet në qeli me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO për korrupsion pasiv në 9 episode dhe për pastrim parash, kryer në bashkëpunim.
Në seancën e vlerësimit të masave, GJKKO rikonfirmoi 6 nga 8 masat e sigurisë, përkatësisht “arrestin në burg” për Erion Veliaj dhe biznesmenin Elman Abule, si dhe 4 masa të tjera detyrim paraqitje për biznesmenët e ndërtimit Shkëlqim Fusha, Gentjan Sula, Fatmir Bektashi e Meriman Palushi. E vetmja masë që nuk është konfirmuar ende është masa e detyrim paraqitje për biznesmenin Sokol Kryeziu, i cili rezulton të jetë jashtë vendit.
/abcnews.al