Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kryebashkiaku izraelit urdhëron hapjen e strehimeve publike për shkak të tensioneve rajonale

schedule19:36 - 14 Janar, 2026

schedule 19:36 - 14 Janar, 2026

Kryetari i Bashkisë së Dimonës në jug të Izraelit ka urdhëruar hapjen e strehimeve publike në gjithë qytetin të mërkurën në mbrëmje, mes rritjes së tensioneve rajonale, raportoi media izraelite.

Vendimi u mor pasi “është më mirë të jesh i përgatitur sesa i befasuar”, tha kryebashkiaku Benny Biton në një deklaratë të cituar nga e përditshmja “Israel Hayom”.

Platforma izraelite në Telegram shpërndanë imazhe, autenticiteti i të cilave nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur, duke pretenduar se sistemi i mbrojtjes ajrore “Iron Dome” po dislokohet në Kuds.



Zhvillimet vijnë në një kohë kur zyrtarët amerikanë kanë përshkallëzuar retorikën kundër Iranit, i cili është tronditur nga protesta kundër qeverisë që nga muaji i kaluar për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Të martën, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha për “CBS News” se Washingtoni do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” nëse autoritetet iraniane kryejnë ekzekutime të protestuesve.

Izraeli është duke u përgatitur për mundësinë që Irani të mund të lëshojë raketa drejt territorit të tij, nëse Washingtoni vendos të sulmojë Teheranin.

Në qershor, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit, i cili u përgjigj me sulme me dronë dhe raketa ndaj objektivave izraelite, përpara se SHBA-ja të shpallte armëpushim.

Si Izraeli, ashtu edhe Irani e shohin njëri-tjetrin si armiq të përbetuar dhe prej vitesh kanë shkëmbyer akuza për operacione sabotazhi dhe sulme kibernetike.

Të martën, e përditshmja izraelite “Maariv” raportoi se Izraeli ka rritur nivelin e gatishmërisë së forcave ajrore, drejtorisë së inteligjencës ushtarake (Aman) dhe Komandës Veriore, në pritje të një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Iranit.

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e asaj që ata e përshkruajnë si “trazira” dhe “terrorizëm” në mes të protestave.

Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare për viktimat apo të ndaluarit. Agjencia e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, vlerëson se të paktën 2.500 persona janë vrarë, përfshirë protestues dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa më shumë se 1.100 të tjerë janë plagosur.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!