“Kryebashkiakja e tërmetit”, Sako: Nuk do ta harroj takimin e parë me kryeministrin, kjo ka qenë fëmijëria ime

schedule08:19 - 22 Prill, 2023

schedule 08:19 - 22 Prill, 2023

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit e po ashtu kandidate për një mandat të dytë, Emirjana Sako ka qenë e ftuara e radhës e kryeministrit, Edi Rama në Podcastin e tij.

Fillimisht Sako ka treguar për momentin e parë që është takuar me Ramën, i cili ka qenë në zoom dhe në rrethana të jashtëzakonshme.

Ajo kujton fjalët e para që kryeministri i tha në momentin që mori detyrën e kryebashkiakes, “merr një krevat dhe fli në bashki tani”.

Më pas ajo flet për fëmijërinë e saj.

Pjesw nga intervista:

Kryeministri Edi Rama: Emirjana Sako, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit me të cilën jemi takuar në rrethana të jashtëzakonshme, në kuadrin e një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe në një komunikim të pazakonshëm. Të kujtohet?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Po. S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë.

Kryeministri Edi Rama: Ti ke dalë në jetë, pra ke ardhur në jetë në momentin që unë isha duke dalë në jetë se kam qenë në studimet e larta kur ti ke lindur dhe ke lindur në Durrës. Çfarë mendove në sekondën e parë që linde?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Kam lindur në Durrës në 1983 në nëntor edhe jam vajza e madhe e familjes. Kam dhe dy vëllezër të tjerë. Prindërit e mi janë njerëz të thjeshtë, pra bënin një punë, im atë në UMB pra në Uzinën Mekanike Bujqësore të Shkozetit, ndërsa nëna ime punonte në Telekom prej 32 vitesh, doli pastaj në asistencë në vitin 2007.

Unë isha vajza e madhe e familjes si të thuash isha gëzimi i parë. Pas një viti lindi vëllai im dhe pas 10 vitesh me dëshirën për të pasur një vajzë tjetër lindi vëllai im tjetër. Kështu që kjo është familja ime. Ne jetonim në një apartament të vogël ku jetojnë dhe prindërit e mi sot bashkë me gjyshërit sepse ishim një familje nga ato klasiket ku jetonin tre brezat bashkë, siç ka qenë shumica e shqiptarëve.

Ajo që mendoj shpeshherë kur shkoj atje, them si ka mundësi që kemi ndenjur 7 veta në 68 metër katror dhe kishim dhe hapësirë për të rezervuar një nga ambientet e quanim dhomë pritjeje ku nuk ulej asnjeri asnjëherë se gjoja priteshin njerëz që uleshin gjithmonë atje ku qëndronim ne më së shumti, por kjo mund të jetë një plagë social e mirëfilltë domethënë për t’u studiuar.

Kryeministri Edi Rama: Po, dhe dhomat e pritjes ishin dhe pjesa më e ftohtë e shtëpisë sepse qëndronte aty për të pritur njerëz, por njerëzit hynin në kuzhinë që të gjithë.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Ekzakt!

Kryeministri Edi Rama: Çfarë kujton nga fëmijëria në Durrës dhe si të kujtohet sot fëmijëria me sytë e kryetares së bashkisë së Durrësit?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Ok, e vështirë. Si fëmijë ajo që kujtoj gjithmonë që e krahasoj dhe me fëmijët e mi është që iknim në shkollë vetëm, pra pa na shoqëruar njeri. Në klasën e parë mbase më kanë shoqëruar prindërit pastaj në klasën e dytë që i bie 8 vjeçe, çantën në kurriz e kalo tre katër rrugë deri sa të arrish në shkollë. Kujtoj praktikisht rrugën e shkollës, nga Biblioteka deri te ish dentistët, shkolla “Dalip Tabaku” quhej atëherë, sot është “Jusuf Kuka”. Kujtoj, duke qenë se ime më punonte në Telekom shpeshherë shkoja dhe te puna e saj që bëja detyrat dhe lagjen e Kuminit, e cila nuk ka pasur një metamorfozë të madhe në krahasim me çfarë ka ndodhur në pjesën tjetër të qytetit të Durrësit. Dhe patjetër kujtoj rrugën e plazhit, të Currilave, pra nga shtëpia shkonim në këmbë nëpërmjet kodrës së Vilës, zbrisnim atje maloren për të arritur në plazh dhe kjo ishte një nder pjesët më të lumtura të fëmijërisë apo të një kujtese të një fëmije le të themi. r.t/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!