Reagimet dhe “thumbimet” mes lojtarëve të Real Madrid e Manchester City kanë qenë të shumta një ditë para gjysmë-finales së parë, mes këtyre dy klubeve “gjigande” të futbollit evropian, në UEFA Champions League.
Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, i pranishëm ishte gjithashtu dhe “arkitekti” gjerman i mesfushës së Real Madrid, Toni Kroos, i cili ndryshe nga shokët e tij të skuadrës theksoi se do ta kenë të vështirë përballjen me Manchester City.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, duhet të jemi të mirë në mbrojtje ndaj një skuadre që zakonisht shënon tre ose katër gola për ndeshje. Unë kam luajtur shumë nga këto ndeshje, i besoj përvojës sonë. Ekipet e Guardiolas gjithmonë luajnë futbollin e tij. City me Guardiolan nuk është e lehtë të mposhtet”,- tha gjermani gjatë konferencës. /i.m /abcnews.al