Kriza, Spaho: Janë të mirëpritur negociatorë vendas e të huaj

schedule16:00 - 6 Gusht, 2019

schedule 16:00 - 6 Gusht, 2019

Partia Demokratike nuk e konsideron tabu uljen në tryezë me Edi  Ramën për zgjidhjen e krizës politike. Në një intervistë për ABC News, nënkryetari i PD, Edmond Spaho deklaron se kriza do të zgjidhet vetëm përmes dialogut dhe për këtë është i hapur për kontributin edhe të aktorëve politikë vendas por edhe të ndërkombëtarëve.

Më shumë se një muaj pas zgjedhjeve vendore te 30 Qershorit, ku opozita nuk mori pjesë, demokratët janë të hapur për zgjidhjen e krizës politike përmes një tryeze bisedimesh, ku mund të përfaqësohet edhe Edi Rama si kryetar i PS.

Numri  dy i selisë blu, Edmond Spaho, në  intervistë për ABC News pranon se këtë qëndrim PD e ka pasur ne vazhdimësi gjatë muajve të fundit të protestave.

Spaho:“Asnjëherë nuk kemi thënë që nuk zhvillojmë negociata me Edi Ramën si kryetar të Partisë Socialiste. Gjithmonë e kemi theksuar se do të ulemi në një tryezë të spektrit politik ku sigurisht Edi Rama si kryetar i PS do të ketë vendin e tij dhe do të paraqesë opsionet e PS për zgjidhjen e krizës”.

Asnjëherë nuk e kemi mohuar që zgjidhja do të vijë nga dialogu. Problem është që Edi Rama nuk pranon që ka krizë dhe për rrjedhojë nuk pranon as dialogun”.

Për negociatorin demokratët nuk kanë pretendime.

Spaho:“Të gjithë të huajt që dëshirojnë të kontribuojnë për zgjidhjen e krizës janë të mirëpritur. Të huaj, vendas, cilët do qofshin ata. Këtu nuk ka tabu dhe nuk ka përse të ketë”.

Spaho mohon që ndërkombëtarët t’i kenë kërkuar opozitës që ti drejtohet gjykatave për të kërkuar rrëzimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, por është i bindur se raporti i ODIHR do të demaskojë edhe më shumë procesin ku PS mori të gjithë pushtetin vendor.

Refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit për demokratët ka të njëjtat arsye me ato të 30 qershorit. Numri dy i demokratëve vlerëson edhe përpjekjen e aleatëve në opozitë, të cilët me regjistrim në zgjedhje po demaskojnë anëtarët e maxhorancës në KQZ.

Qëndresa e ish kryebashkiakeve te djathte për të mos liruar zyrat sipas Spahos, ka qenë një vendimmarrje e tyre, për të cilën PD është treguar e gatshme të japë mbështetje. Spaho mohon kështu zërat për një tradhti ndaj vendorëve opozitarë.

Partia Demokratike ka nisur një organizim të brendshëm të strukturave të saj pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Kryedemokrati Basha në takime që po zhvillon në të gjithë vendin ka shprehur bindjen se në shtator vendi do të ketë zhvillime të rëndësishme dhe për këtë PD duhet të jetë e përgatitur./ABC News Albania 24/7