Teksa komenton krizën politike që po kalon Maqedonia e Veriut, për shkak të propozimit francez, gazetari Naser Pajaziti, ka zbuluar në emisionin “Ballkan” me gazetare Linda Karadakun përfitimet që mund të kenë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në rast se ndryshon kushtetuta e vendit.
Aktualisht në kushtetutën e MV gjuha shqipe nuk njihet si gjuhë shqipe, por si gjuhë që flet nga mbi 20% e popullsisë maqedonase, pra nuk emërtohet si gjuhë shqipe.
Për këtë arsye gazetari thotë se në kuadër të krizës politike dhe të probabilitetit të ndryshimit të kushtetutës në vend, shqiptarët e MV mund ta shfrytëzojnë për t’i dhënë emër gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Por që të bëhet një gjë e tillë, nuk mjafton shumica e thjeshtë e parlamentit (mazhoranca dhe partitë shqiptare), për ndryshimin e kushtetutës duhet shumica absolute që do të thotë duhet edhe miratimi i opozitës, e cila ditët e fundit ka ngritur protesta në vend, për shkak të propozimit francez, opozita i frikësohet bullgarizmit të Maqedonisë.
“Pritet të ketë maratonë gjatë ditëve në vijim. Për ta miratuar propozimin francez në parlamentin maqedonas duhet shumicë e thjeshtë që koalicioni aktual i ka.
Ndërsa për ndryshimet kushtetuese përfshirë këtu pakicën bullgare, atëherë fillon problemi, sepse shumica aktuale dhe partitë shqiptare nuk i kanë dy të tretat për të bërë ndryshimet kushtetuese.
Gjuha shqipe në kushtetutë nuk njihet si gjuhë shqipe por si gjuhe e komunitetit që flasin mbi 20% e popullsisë. Hapja e kushtetutës ka një komponente të veçantë për shqiptarët e MV për ta futur me emër dhe me mbiemër gjuhën shqipe në kushtetutën maqedonase.
Reagimi i maqedonase ndërlidhe dhe me këtë, ata i frikësohen ndryshimet kushtetuese me paranojën se po humbasin shtetin e tyre dhe paranoja të tjera që i kanë krijuat dhe ndaj propozimit francez që sipas tyre çon në bullgarzimin e Maqedonisë”, tha gazetari në Ballkan.
Ndër të tjera gazetari theksoi se për miratimin e propozimit francez nevojitet vetëm shumica e thjeshtë, pra mazhoranca dhe partitë shqiptare, ndërsa për ndryshim kushtetute duhet shumica absolute.
Gjithashtu ai tha se pritet një maratonë e gjatë në parlament deri në miratimin e propozimit francez.
“Kemi situatë të tensionuar, por ka optimizëm që propozimi francez do të marrë dritë jeshile. Nuk kemi fluks të madh protestuesish, kemi tek tuk grupe të ekstremit të djathtë.
VMRO ka si synim vetëm zgjedhjet e parakohshme. Në plan të përgjithshëm ka dakordësi, janë detaje të propozimit që nuk pranohen nga opozita maqedonase.
A do të miratohet propozimi francez sot? Pritet të ketë maratonë gjatë ditëve në vijim. Pritet një tension te opozita maqedonase, sepse nëse kërkohet shumica absolute për ndryshime kushtetuese mazhoranca aktuale bashkë me partinë shqiptare nuk i ka numrat e duhur. Pritet ditën të vijim një zhvillim optimist për miratimin e këtij propozimi nga qeveria në parlament”, tha gazetari.
Çfarë përmban propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.
Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.
Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.
Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.
Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.
Ndërkohë, partitë opozitare nga 10 korriku kanë rikthyer protestat kundër propozimit francez, ndërsa pritet të intensifikohen në momentin kur propozimi do të nisë të debatohet në Kuvend.
Dokumenti për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është prezantuar gjatë kryesimit të Francës me Presidencën e BE-së dhe përbëhet nga shtatë pika. Qeveria maqedonase e ka publikuar dokumentin më 1 korrik. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë edhe në propozimin francez/abcnews.al./