KRIZA/ Greqia vijon mbështetjen financiare për qytetarët, zgjatet me një muaj subvencionimi për karburantet

schedule14:07 - 2 Qershor, 2022

schedule 14:07 - 2 Qershor, 2022

Greqia i ka zgjatur subvencionet për naftën edhe për një muaj, deri më 30 qershor. Mediat në vend raportojnë se, në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ministrat e Zhvillimit e Investimeve dhe të Mjedisit e Energjisë publikuan në fletoren zyrtare, zgjatjen e afatit.

Siç përmendet në Vendimin e Përbashkët të Ministrive të Financave, Zhvillimit dhe Investimeve, dhe Mjedisit dhe Energjisë, botuar në Fletoren Zyrtare, “Dhënia e subvencionit të karburantit dizel” (B’1540) “(B’ 2128) deri më 31 maj 2022, zgjatet sërish për një periudhë një mujore, pra deri më 30 qershor 2022.

Kujtojmë se qeveria greke po vijon me ofrimin e mbështetjes financiare për një pjesë të mirë të qytetarëve me qëllim përballimin e krizës së çmimeve.

Pas mbështetjes për karburant pa taksa të fermerëve si edhe subvencioneve të tjera për shtresa të ndryshme të shoqërisë, qeveria Mitsotakis vendosi që të ofrojë kompensim në vlerën nga 18 deri në 600 euro për çdo familje që jeton me qira apo ka në pronësi vetëm një shtëpi.

Qeveria ka parashikuar që këtë kompension ta marrin familjet që kanë të ardhura të përbashkëta jo më shumë se 45 mijë euro në vit. Në total, parashikohet që të subvencionohet energjia elektrike për rreth 4 milion banorë në Greqi, pavarësisht nëse janë grekë apo emigrantë me dokumente të rregullta.

Rritja e çmimeve ka rritur ndjeshëm edhe të ardhurat e buxhetit të shtetit nga mbledhja e taksave, por qeveria në shtetin fqinj ka vendosur që këto të ardhura shtesë t’ua kthejë qytetarëve përmes subvencioneve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!