Kriza energjetike, alarmi vjen nga Fierza

schedule14:06 - 18 Mars, 2022

schedule 14:06 - 18 Mars, 2022

Nga Adi Darsi

Rezerva ujore në Liqenin e Fierzës, treguesi kryesor për rezervën energjetike të vendit, nuk ka qenë kurrë më e ulët sesa niveli i ditëve të sotme që prej vitit 2002. Për të gjithë ata që e kujtojnë ai vit ka shënuar krizën më të thellë energjetike në Shqipëri. Ndonëse jo në të njëtat nivele ka të ngjarë që situata të përsëritet.

Është e vështirë të konfirmosh se kjo gjendje vjen vetëm si shkak i keqmenaxhimit të kaskadës, ashtu siç është fakt se situata e motit në 12 muajt e fundit nuk ka patur ndonjë ndryshim  specifik krahasuar me vitet paraardhëse.

Për të kuptuar më mirë krizën që po troket, vlen të bëjmë një lexim vertikal dhe horizontal të shifrave. Në tabelën e mëposhtme është niveli i Fierzës në tre muajt e parë të disa viteve me radhë, dhe në të njëtën kohë niveli në secilin muaj të dy viteve të mëparshme.

Çfarë rezulton?

HEC Fierzë niveli historik 2002-2022

Viti Janar Shkurt Mars Prill Maj Qersh Korrik Gusht Shtat Tetor Nënt Dhjetor
2002 245.3 247.1 252.6                  
2005 281.2 281.5 293.3                  
2010 290.1 289.2 293.9                  
2015 288.7 289.4 292.2                  
2018 289.7 292.0 295.0                  
2020 271.6 271.9 283.5 288.5 293.6 291.7 284.6 276.5 273.5 274.1 268.7 272.7
2021 291.7 294.1 292.6 294.3 296.7 291.7 282.7 274.3 271.3 267.7 267.8 275.1
2022 271.1 267.6 261.1                  

Burimi: ERE, KESH

Në mes të marsit 2022, niveli i Fierzës ka rënë në 261.1 metër mbi nivelin e detit, dhe duke qenë se hidrocentrali po punon fundi i muajit do ta gjejë atë poshtë 260 metrave mnd. Nivel aq i ulët është shënuar vetëm në 2002, njëzët vjet më parë, (sipas tabelës 252.6 m mnd). Shifrat nuk kanë nevojë për koment.

Ndërkohë në një lexim horizontal të nivelit të shtritë për të gjithë muajt e viteve 2020 dhe 2021 bie në sy se situatë tëngjashme me tre muajt e fundit ka patur edhe në nisje të 2020, por në mars të atij viti ka nisur përmirësimi, ndryshe nga se ndodh sivjet.

Madje në dhjetor 2021 situata ka qenë më e mirë se një vit më parë. Por në tre muajt e parë të këtij viti, situate ka qenë në përkeqësim të vazhdueshëm sepse kaskada është shfrytëzuar maksimalisht. Sipas të dhënave të KESH rezerva energjitike e vendit është përgjysmuar nga 650 GWh që ka qenë me 05.01.2022 në 313.5 GWh e raportuar më 15.03 2022.

Që prej janarit niveli i Fierzës i raportuar nga KESH ka rënë si vijon:

HEC Fierzë niveli 2022

05.01.2022         276.08

17.01.2022         276.00

21.01.2022         274.62

31.01.2022         271.11

08.02.2022         267.83

21.02.2022         267.66

15.03 2022          261.18

 

Vlen të kujtojmë se kuota maksimale e ujit në Liqenin e Fierzës është 296.0 m mnd dhe kuota minimale e punës është 240.0 m mnd.

Shifrat sugjerojnë një prag krize. Ka vetëm dy faktorë që mund të ndikojnë sado pak pozitivisht: rënia e konsumit të energjisë me ngrohjen e motit dhe shkrirja e dëborës. Por në mungesë të reshjeve efekti i tyre nuk e zgjidh situatën.  KESH njofton se  ka importuar 89 mln euro energji elektrike që prej 1 janarit deri në 15 mars.

A do mund të mbulohen nevojat e konsumatorëve me importe edhe në vijim? /abcnews.al