Zyrtari i NATO-s takohet me Vuçiç, diskutime për situatën në Kosovë

schedule15:28 - 21 Gusht, 2024

schedule 15:28 - 21 Gusht, 2024

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, u takua në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ruge shkroi në rrjetin social X se temë diskutimi ishin edhe çështjet rajonale, përshirë “siguria afatgjate në Kosovë”.

“Ne biseduam gjithashtu për çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e përhershme në Kosovë. NATO-ja pret që Serbia të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme në maj dhe shtator 2023,” tha Ruge.

Në maj 2023, më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u plagosën rëndë dhe lehtë në trazirat para komunës së Zveçanit në veri. Atij sulmi i paraprinë tensionet më 26 majit, kur grupe të serbëve lokalë u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Ndërkohë, në një sulm të armatosur në shtator 2023, përgjegjësinë për të cilin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiç, në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

Vuçiq, ndërkohë, tha më vonë në një postim në Instagram se takimi i tij me Ruge ishte “i mirë”, dhe me të bisedoi për ndikimin e mundshëm “vendimeve të njëanshme të regjimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

“Shpreha shqetësimin e madh për tendencën për të komplikuar situatën përkundër të gjitha përpjekjeve të Beogradit për t’i kthyer çështjet e hapura në kornizën e dialogut. Gjithashtu, theksova se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve që Prishtina provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme ndikon shumë në popullin serb në Kosovë, i cili jeton në gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën e tij”, shkroi Vuçiq.

Ai iu referua vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri dhe synimeve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.

Autoritetet kosovare e kanë hedhur poshtë kërkesën e Serbisë dhe Bashkimit Evropian që çështja e urës të diskutohet në dialogun e Brukselit.

Takimi i Ruge me Vuçiçin ndodhi një ditë pasi zyrtari i lartë i NATO-s u prit nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Prishtinë.