Pak përpara se të shkonte në tribunën e Kombeve të Bashkuara për të mbajtur fjalën e tij, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin francez TV5Monde. Ndër të tjera, kryeministri u pyet për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE, largimin në masë të shqiptarëve si dhe për projektin e tij për Shqipërinë pas marrjes së mandatit të tretë.
I pyetur nëse Shqipëria është “lodhur” duke pritur vite me radhë anëtarësimin, Edi Rama u shpreh se ajo që është e frustruar është Evropa nga problemet e saj të brendshme.
U bënë vite që prisni? A është frustruese? Në ç’pikë janë negociatat me Brukselin?
“Të themi të vërtetën, nuk është frustruese, sepse e kuptojmë që vetë Evropa është e frustruar nga problemet e saj të brendshme. Prej krizës së refugjatëve të 2015, po ndodhin shumë gjëra në nivelin evropian, të cilat bëjnë që Bashkimi Evropian të mos arrijë të funksionojë në të gjitha frontet dhe as të menaxhojë nacionalizmat që po lulëzojnë në shumë vende. Edhe pse ekstremi i djathtë për fat të mirë nuk është në pushtet në asnjë vend evropian, qasjet e ekstremit të djathtë ndikojnë sidoqoftë mbi qëndrimet e qeverive të moderuara, e të vetë Bashkimit Evropian. Në këtë pikë, jemi të qartë, ne duhet të bëjmë gjithçka duhet për t’u bërë një vend evropian, për t’u bërë një vend i BE, për t’u bërë një vend i shtetit të së drejtës, sepse e bëjmë këtë për fëmijët tanë. Nuk e bëjmë sepse është dikush në Bruksel, në Paris, apo në Berlin që na e kërkon dhe kjo është rruga e vetme, nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi vërtet krenarë që të vazhdojmë në këtë udhë, ka pengesa por s’ke ç’i bën, ne vazhdojmë.”
Duke i kujtuar që Shqipëria është zotuar të strehojë të paktë 4 mijë refugjatë afganë, gazetarja franceze pyet kryeministrin Rama nëse fakti që vetë shqiptarët po largohen në masë e bën situatën kontradiktore.
A nuk është Shqipëria në një farë mënyre një ferr për popullsinë e saj, pasi ka një eksod në masë, pasi shqiptarët largohen drejt Francës, largohen drejt Zvicrës, a nuk ka një kontradiktë?
“Jo, sepse së pari, në të gjitha vendet e Lindjes, qofshin vende anëtare të BE, qofshin vende kandidate të BE, ka pasur një lëvizje masive të njerëzve drejt Perëndimit, dhe, nëse për ata që janë anëtarë, bëhet fjalë për lëvizje brenda një perimetri tregu të lirë të punës, për shqiptarët dhe të tjerët bëhet fjalë për një lëvizje që nuk është vërtet e lirë. Është një lëvizje e lidhur sigurisht me çështje ekonomike, por është e lidhur gjithashtu me rrjete të emigracionit të paligjshëm. Thënë kjo këtu nuk ka aspak kontradiktë, sepse ne jemi një vend mikpritës, i kemi pritur gjithmonë njerëzit në nevojë dhe do ta bëjmë gjithmonë.”
Për ta mbyllur, cili është projekti juaj për Shqipërinë? Ju sapo jeni rizgjedhur për një mandat të tretë.
“Do të vazhdojmë përpjekjet tona për të modernizuar vendin,do të vazhdojmë përpjekjet për ta transformuar Shqipërinë në një shtet të së drejtës në standartet e Bashkimit Evropian, me një reformë të drejtësisë që shkon përpara, me reforma të tjera që shkojnë përpara, jemi një vend që sot ka qeverinë me pjesëmarrjen me të madhe të grave në qeveri ndërmjet vendeve të Kombeve të Bashkuara, jemi një vend që sigurisht duhet të luftojmë me shumë gjëra që vijnë nga e shkuara e që janë ende aty, por ku sigurisht ka shpresë, sigurisht ka të ardhme.” /abcnews.al/

